Loris Qosja fitues i Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës në SHBA, mësuesja: Jam shumë krenare, ishim të vetmit nga Shqipëria
Loris Qosja, nxënës i shkollës “7 Marsi” në Cërrik, është shpallur fitues i vendit të parë në Matematikë dhe i vendit të tretë në Kimi në “Neo Science Olympiad”, e zhvilluar në Orlando, SHBA.
15-vjeçari është nxënës i klasës së 9-të dhe përfaqësoi Shqipërinë në këtë olimpiadë ndërkombëtare shkencore, duke u vlerësuar me medalje ari në Matematikë dhe medalje bronzi në Kimi.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, mësuesja e tij, Flutura Hoxholli, foli për rrugëtimin e Lorisit drejt këtij suksesi.
“Lorisi fillimisht mori pjesë në fazën online dhe aty u vlerësua me medalje bronzi. Më pas organizatorët e olimpiadës na ftuan të merrnim pjesë në finalen e madhe në Orlando. Lorisi konkurroi për Matematikë dhe testi ishte nga klasa e 9-të deri në të 11-tën. Ai u vlerësua me arritjet më të larta, mbi nivelin e klasës së 9-të, dhe mori çmimin e parë, medalje ari,” u shpreh Hoxholli.
Mësuesja theksoi se talenti i Lorisit është evidentuar që në moshë të vogël, duke shtuar se ishin të vetmit përfaqësues nga Shqipëria që morën pjesë në atë olimpiadë,” tha ajo.
“Lorisi që në klasën e 6-të shfaqi talent në lëndën e matematikës. Në zgjidhjen e problemeve kërkonte arsyetim logjik, jo vetëm zgjidhje mekanike të tyre. Ndihem shumë krenare. Nuk do ta harroj kurrë çastin kur u rendit i pari në olimpiadën e Matematikës, kam pasur shumë emocione. Ishim të vetmit nga Shqipëria që merrnim pjesë në atë olimpiadë,” tha ajo.
Suksesi i Loris Qoses përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për shkollën dhe qytetin e Cërrikut, por edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të dijes.

Nxënësi ka punuar me mësuesen e tij, Flutura Hoxholli, jashtë orarit të shkollës dhe gjatë pushimeve. Ai e studion matematikën për rreth 6-8 orë në ditë.
Një pjesë e udhëtimit në SHBA u mundësua nga Bashkia Cërrik, ndërsa pjesa tjetër nga vetë familjarët e nxënësit.
