Lojërat Olimpike Milano-Cortina/ Eventi që do të ndiqet nga 2 mld njerëz, gjithçka që duhet të dini për ceremoninë e hapjes, të ftuarit, oraret dhe çmimet

Lojërat Olimpike Milano

Është eventi më i shumëpritur i të gjithë Lojërave Olimpike, ai që mban të ngjitur pas ekranit mbi 2 miliardë njerëz në mbarë botën, i cili do të transmetohet dhe në RTSH1 për të gjithë publikun shqiptar. Ceremonia e hapjes së Milano-Cortina 2026 do të inaugurojë ngjarjen olimpike në mënyrën më spektakolare të mundshme, me disa ceremoni që do të zhvillohen njëkohësisht. Dhe vëmendja do të jetë e përqendruar te disa nga emrat më të njohur të muzikës dhe kinemasë.

Ku do të mbahet ceremonia e hapjes e Milano-Cortina 2026?

Ngjarja kryesore do të zhvillohet në stadiumin San Siro, Tempulli i Futbollit. Por për herë të parë në histori, ceremonia do të ketë edhe një “binjak” – jo identik – në shtëpinë e dytë të këtyre Lojërave Olimpike: Cortina d’Ampezzo. Ceremoni të tjera do të mbahen gjithashtu në Livigno dhe në Predazzo, në Val di Fiemme.

Kur është dhe në çfarë ore fillon ceremonia?

Festimet zyrtare do të nisin në orën 20:00, të premten më 5 shkurt. Në San Siro është organizuar edhe një “pre-show”, që do ta mbushë stadiumin me muzikë dhe atmosferë festive që nga ora 19:15. Për të lejuar hyrjen e rregullt të publikut, portat do të hapen që në orën 16:00.

Kush do të jenë të ftuarit e ceremonisë së hapjes?

Emrat e mëdhenj, përveç ndonjë surprize apo shtese të minutës së fundit, tashmë janë konfirmuar. Një listë e gjatë yjesh ndërkombëtare dhe italiane do të ngjitet në skenën e San Siros. Do të performojnë Andrea Bocelli, Mariah Carey (e cila do të këndojë edhe hitin e përhershëm All I Want for Christmas Is You), Laura Pausini dhe Ghali. Do të jenë gjithashtu të pranishëm edhe emra të njohur të kinemasë, si Pierfrancesco Favino dhe Sabrina Impacciatore.

Sa kushtojnë biletat për ceremoninë e hapjes së Olimpiadës?

Tribunat e San Siros nuk janë ende të mbushura plotësisht. Nga 80 mijë persona të parashikuar, prej të cilëve 60 mijë me bileta me pagesë, mungojnë ende rreth 10 mijë. Janë shitur të gjitha biletat e sektorit të tretë, me çmim 260 euro. Ende ka vende të lira në sektorët e poshtëm dhe në zonën më pranë skenës, me çmime që variojnë nga 700 deri në 1.400, e deri në 2.026 euro. Një shifër simbolike, por që nuk ka ngjallur shumë interes te blerësit. Për këtë arsye, Fondacioni Milano-Cortina po provon një kartë të fundit: ofertën “paguaj një, merr dy”.

Ku do të mbahet ceremonia e ndezjes së flakës olimpike?

Bracieri olimpikë janë dy: një në Arco della Pace në Milano dhe tjetri në Piazza Dabona në Cortina d’Ampezzo. Një simbol i fuqishëm i bashkimit dhe lidhjes mes dy “kryeqyteteve” të Olimpiadës 2026. Bracierët janë struktura gjigante teknologjike, secili me peshë rreth 5 tonë, të veshura me mijëra drita me konsum të ulët, që do të mbajnë flakën olimpike. Ato janë ndërtuar si homazh për Leonardo da Vincin: struktura lëvizëse që hapen dhe mbyllen si një frymëmarrje.

Sa persona janë të përfshirë dhe punojnë në ceremoninë e hapjes?

Bëhet fjalë për një ngjarje me përmasa shumë të mëdha, me rreth 1.200 performues vullnetarë dhe një kast që vjen nga 27 vende të ndryshme. Për pjesën muzikore janë të angazhuar rreth 500 muzikantë, ndërsa në skenë do të përdoren 1.400 kostume të ndryshme. Në total, spektakli parashikon përdorimin e 1.000 objekteve skenike.