Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” vijnë në RTSH, çfarë pritet nga Ceremonia e Hapjes më 6 shkurt
Rrjeti televiziv RTSH do t’u sjellë shikuesve shqiptarë transmetimin e Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Në këtë kuadër, RTSH sjell lajmet dhe prapaskenat më të fundit për ceremoninë e hapjes, një spektakël që pritet të jetë i jashtëzakonshëm dhe që publiku do të ketë mundësinë ta ndjekë drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, më 6 shkurt, ora 20:00.
Ekipi krijues dhe artistik që po punon për ceremoninë e hapjes tregon prapaskenat e eventit dhe çfarë duhet të presë publiku nga një mbrëmje që parashikohet e paharrueshmeCeremonia e hapjes e Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” do të jetë ndryshe nga të gjitha të tjerat.
Një event i shpërndarë, i planifikuar më 6 shkurt, që do të përfshijë jo vetëm San Siro Olympic Stadium në Milano dhe qytetin e Cortina d’Ampezzo, por edhe lokalitete të tjera që do të shërbejnë si sfond për garat e planifikuara.

Një spektakël dritash, ngjyrash, tradite, arti dhe kulture për të festuar sa më mirë shpirtin italian.
Gjithçka do të shoqërohet nga performancat e artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë si aktori shumë i vlerësuar Pierfrancesco Favino, ylli i The White Lotus Sabrina Impacciatore, fituesja e Golden Globe Laura Pausini, tenori i njohur Andrea Bocelli, reperi Ghali dhe superylli fituese e pesë çmimeve Grammy Award, Mariah Carey.
Artistja amerikane “do të këndojë në italisht”, siç e ka paralajmëruar Creative Lead i eventit inaugurues, Marco Balich.
Zbuloni parathëniet dhe kuriozitetet mbi ceremoninë e hapjes, biletat e së cilës janë ende në dispozicion, si edhe një promovim ekskluziv i dedikuar për fansat deri në moshën 26 vjeç (përfshirë), përmes zërave të ekipit të punës që e ka ideuar dhe krijuar.
Balich: “Ceremonia e parë e hapjes e shpërndarë në historinë e Olimpiadave”
Eventi rrotullohet rreth konceptit të “Harmonisë”, temë e zgjedhur për të përcjellë një mesazh universal paqeje, uniteti dhe dialogu.
“Ceremonia e hapjes nuk është vetëm një ushtrim teknologjie ose spektakli. Është mbi të gjitha një rrëfim i bërë nga njerëz dhe emocione, – tha Balich. – Në një botë komplekse, duam të propozojmë një mesazh harmonie, bukurie dhe paqeje që të mund t’u flasë të gjithëve”.

Një mbrëmje që nuk duhet humbur, në një nga vendet më ikonike të sportit italian.
“Stadiumi ‘San Siro’ është një monument i futbollit dhe përfaqëson shumë për tifozët në mbarë botën, por më 6 shkurt do të shfaqet spektakli më i bukur për Ceremoninë e hapjes së ‘Milano Cortina 2026’”.
Për herë të parë, do të ketë dy pishtarë olimpikë (bracieri): një i vendosur në Milano, pranë Arco della Pace, dhe tjetri në Piazza Dibona në Cortina.
“Do të jetë Ceremonia e parë e hapjes e shpërndarë në historinë e Olimpiadave. Kjo sjell shumë mundësi dhe shumë sfida. Mundësitë qëndrojnë te fakti se u lejohet të gjithë sportistëve të marrin pjesë në paradë, – shtoi ai. – Në të njëjtën kohë, duhet ta ndajmë shfaqjen në shumë lokacione për të përfshirë të gjithë të pranishmit në evente. Qendra është stadiumi ‘San Siro’, por në tërësi duhet të krijojmë një përqafim të madh që u mundëson sportistëve dhe publikut të marrin pjesë njëkohësisht në momentet kulmore”.
Mbi 1.200 vullnetarë do të marrin pjesë në performancat ‘live’ gjatë një eventi të organizuar mes Milanos, Cortinës, Livignos dhe Predazzos.
“Po punoj me një ekip të madh talentesh si Simone Ferrari, Damiano Michieletto, Lulu Helbaek dhe Lida Castelli. Edhe me përvojën dhe moshën time, mësoj. Dhe sa kohë që mëson, je gjallë”, përfundoi Balich.
Iascone: “Kemi përcaktuar një standard të ri për Ceremonitë e së ardhmes”
Maria Laura Iascone, drejtoreshë e Ceremonive të Milano Cortina, theksoi se ky takim do të shënojë një lloj fillimi të ri.
“Kemi përcaktuar një standard që në të ardhmen do të bëhet normal për ata që kanë më shumë seli, pra konceptin e ceremonisë së shpërndarë, u shpreh ajo. – Një koncept që nis nga shumëllojshmëria e territoreve të zgjedhura si vende. Duke filluar nga Milano dhe Cortina, dy qytetet pritëse që do të jenë protagonistë të Ceremonisë së Hapjes, së bashku me Livignon dhe Predazzon për paradën. Milano dhe Cortina do të jenë qytetet ku pishtarët do të ndizen dhe do të fiken gjatë Lojërave”.
Të krijohen momente epike dhe emocionuese që mbeten në kujtesë: ky është qëllimi i eventit.
“Harmonia është thelbi i bashkimit harmonik të territoreve, kulturave dhe njerëzve të ndryshëm. Është gjithashtu thelbi i Shpirtit tonë Italian në termat e bukurisë, elegancës, muzikës dhe artit – shtoi ajo. – Çdo vend do të tregojë historinë e kulturës së vet, vlerat e veta dhe do të lërë një trashëgimi që të jetë mesazh për brezat e ardhshëm. Prandaj, në njëfarë mënyre, qëllimi dhe vizioni i ceremonisë është pikërisht të lërë një shenjë në mendjen dhe zemrën e të gjithëve”.
Michieletto: “Shpirti Italian si ana lozonjare e jetës”
Pjesë e ekipit të punës është edhe Damiano Michieletto, drejtor krijues i Ceremonisë së Hapjes.
“Mendoj se sfida kryesore është të krijojmë një ceremoni që vendos në dialog Milanon dhe Cortinën, sepse duhet të arrijmë të krijojmë një lidhje mes qytetit dhe malit – tregoi ai. – Do të përpiqemi të krijojmë një gjuhë specifike me koreografi, muzikë dhe vënie në skenë”.
Një mbrëmje ku e gjithë bota do të mund të admirojë dritën, historinë dhe kulturën e vendit.
“Italia ka një traditë të madhe artistike dhe, në njëfarë mënyre, do të përpiqemi ta sjellim në Ceremoninë Olimpike. Bukuria italiane do të jetë pjesë e estetikës së ceremonisë, jo vetëm për atë që njerëzit presin, por edhe për atë që njihet më pak – vijoi Michieletto. – Mendoj se Shpirti Italian përfaqëson anën lozonjare të jetës. Është mënyra se si mund ta shohësh botën me një traditë të madhe pas shpine, por duke u hedhur nga trampolina”.
Cantini Parrini: “Të jesh në stadium do të jetë një emocion i fortë”
Massimo Cantini Parrini, kostumograf i Ceremonisë së Hapjes, është gati të lërë një gjurmë të rëndësishme në këtë event të jashtëzakonshëm inaugurues.
“Si kostumografë, kemi gjithmonë nevojë të lexojmë atë që duhet të përfaqësojmë. Këtu ka një rrugëtim të shkruar shumë të rëndësishëm, që më ka udhëhequr në procesin krijues – deklaroi ai. – Puna ime është të projektoj për të treguar nëse mesazhi ka mbërritur dhe është përkthyer në mënyrën më të mirë. Para se të arrijmë te veshja përfundimtare, ka etapa të mëdha kohe dhe mjeshtërie. Jam pjesë e një ekipi që shpreh gjuhë të ndryshme. Nuk është kufizim, por sfidë”.
Miliona njerëz të ngjitur para ekranit për të ndjekur këtë spektakël të paharrueshëm do të mund të admirojnë çdo detaj të kostumeve.
“Jam maniak i detajeve. Njerëzit në stadium nuk do ta kenë pamjen e detajit si nga televizioni. Por të jesh në stadium do të jetë një emocion shumë i fortë. Në vizionin tim ka gjurmë të modës italiane, që më ka magjepsur gjithmonë. Jam koleksionist veshjesh të epokave. Arti milanez përfaqëson në mënyrë të shkëlqyer rrymat artistike Liberty dhe Art Déco. Kjo më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë”, përfundoi ai.
