Liqeni i Shkodrës në UNESCO / Institucionet shqiptare e malazeze po përgatisin dosjen e nominimit

Shqipëria dhe Mali i Zi po përgatisin dosje nominimi për shpalljen e “Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës në UNESCO”.
Për këtë qëllim u zhvillua konferenca e parë ndër rajonale në Shkodër ku institucionet lokale u shprehën të gatshme për vijimin e bashkëpunimit reciprok.
Përfaqësuesit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Rajonit Verior të Malit të Zi e quajtën një moment të rëndësishëm përgatitjen e dosjes, për shkak edhe të vlerave kulturore e mjedisore që liqeni ka.
Qëllimi kryesor i takimit ishte pasqyrimi i statusit aktual të Dosjes së Nominimit që do të dorëzohet pranë UNESCO-s, si dhe finalizimi i elementëve të përbashkët ndërkufitarë të kësaj dosjeje, me qëllim vizionin e përbashkët për të ardhmen e zonës së Liqenit të Shkodrës.
Projekti ka filluar zbatimin në shkurt 2023 dhe përfundon në gusht 2025. Më pas, dosja i dërgohet ministrive përkatëse për të bërë plotësimet e nevojshme përpara dorëzimit pranë UNESCO-s.