Linda Rama, ekskluzivisht në “Aromë gruaje” në RTSH: Të jesh zonjë është një betejë dinjiteti që përfundon vetëm kur shpirti ndahet nga trupi
Në një rikthim emocionues pas gati tre dekadash në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, Linda Rama ka ardhur ndryshe. Jo më si ekspertja e ekonomisë e vitit 1995, por si një grua që analizon thellë dimensionin njerëzor, dinjitetin dhe peshën e të qenit “Zonjë”.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Aromë gruaje” nën moderimin e Ina Kollçakut, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama ndau me publikun jo vetëm copëza nga marrëdhënia me bashkëshortin dhe reflektimet mbi mungesën e njerëzve të dashur, por mbi të gjitha, një filozofi të qartë mbi integritetin njerëzor.
Rikthimi në RTSH, nga privatizimet masiv te kujtimet e fëmijërisë
Për Zonjën Rama, hyrja në godinën e RTSH-së nuk ishte thjesht një intervistë e radhës, por një udhëtim pas në kohë. Ajo kujtoi daljen e saj të fundit në këtë ekran në vitin 1995, një periudhë tranzicioni të vrullshëm për Shqipërinë.
“Kam qenë këtu në vitin ’95, për të shpjeguar skemën e privatizimit masiv, e cila drejtohej nga unë. Kishte interes nga populli për privatizimet masive në atë kohë,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se kjo godinë mbart emocione të forta për të.
Por lidhja e saj me këtë institucion shkon përtej karrierës profesionale; ajo është organike dhe familjare. E rritur pranë Liceut Artistik, RTSH ishte pjesë e peizazhit të saj të përditshëm, ndërsa xhaxhai i saj, Hasan Basha, punonte aty si teknik zëri.
“Prezenca në RTSH është e hershme, që kur isha 5 apo 6 vjeçe. Televizioni ishte me ne për të gjitha ngjarjet që zhvilloheshin. Jam shumë e emocionuar që shkel këtu pas kaq shumë vitesh,” – rrëfeu Rama.
“Zonjë lind apo bëhesh?” – Filozofia e formimit
Një pikë e bisedës u shënua kur moderatorja Kollçaku shtroi pyetjen kyçe të etikës shoqërore: “A lind zonjë, apo bëhesh e tillë?”
Për Linda Ramën, titujt “Zonjë” apo “Zotëri” nuk janë etiketa sipërfaqësore, por shkallë të larta të dinjitetit dhe integritetit njerëzor. Ajo e përkufizoi këtë si një proces të gjatë kultivimi, që nis me një premisë të brendshme, por kërkon punë të përditshme për t’u mbajtur.
“Njeriu duhet ta ketë një premisë fillestare që të jetë zonjë apo zotëri. Por është vetëm fillestare. Më pas është kultivim, është më shumë një proces formimi. Pra, bëhesh,”, analizoi ajo.
Sipas saj, ky rrugëtim nis që në fëmijëri, kur njeriu fillon të kuptojë shijet, mënyrën e komunikimit dhe atë që e tërheq, dhe vazhdon me përpjekjen për t’i bërë bashkë këto cilësi. Por, sipas saj, sfida më e madhe nuk është arritja e këtij statusi shpirtëror, por ruajtja e tij.
“Përpjekja më e madhe është që ta mbash. Do përpjekje ta mbash këtë investim ndër vite. Është një proces që përfundon në momentin që shpirti shkëputet nga trupi,” theksoi Zonja Rama.
