Ligji për Zonat e Mbrojtura – Kushtetuesja dëgjon palët, tërhiqet për vendim

Kushtetuesja dëgjon

Gjykata Kushtetuese zhvilloi sot (1 korrik) seancë publike për të shqyrtuar padinë e bërë nga një e pesta e deputetëve të opozitës dhe dy shoqata që kërkojnë shfuqizimin e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”, ligj i miratuar një vit më parë në Parlament.

Palët argumentuan gjatë seancës publike para trupës së gjyqtarëve argumentet pro dhe kundër. Në proces është përfshirë qeveria shqiptare dhe Parlamenti, të cilët kërkojnë nga Kushtetuesja lënien në fuqi të ligjit.

Shoqatat ambientaliste dhe opozita pretendojnë rrëzimin e ligjit, madje sot dorëzuan gjatë seancës plenare një provë të re.

Kundërshtarët thonë se investimet apo administrimi i zonave të mbrojtura mund të rrezikojnë trashëgiminë natyrore të vendit.

Pas një pushimi të shkurtër, trupa e gjyqtarëve e rrëzoi provën e paraqitur në seancën plenare dhe njoftoi se është tërhequr për marrjen e një vendimi përfundimtar.

Opozita pretendon në padinë e saj se ligji “Për Zonat e Mbrojtura” është i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare.