Lajme

“Ligji për Gjuhët” – Ali Ahmeti letër Mickoski: Reflektoni! Prishja e marrëdhënieve ndëretnike do sillte pasiguri për vendin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ka dërguar një letër Kryetarit të VMRO-DPMNE, njëherësh kryeministër i vendit, Hristijan Mickoski, ku i kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se qeveria e tij të mos ndikojë në prishjen e bashkëjetesës ndëretnike në vend.

Në letrën e kreut të BDI-së, Ahmeti shkruan se situata rajonale është tejet e paqwndrueshme dhe se çdo nisëm për të ndikuar në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut do të krijonte një mjedis të pasigurt dhe do të ndikonte në dëmtimin e bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme.

Duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Ali Ahmeti thekson në letër se “Marrëveshja e Ohrit, e cila solli një mirëkuptim më të mirë ndëretnik, nuk është vetëm një çështje politike, por një themel i demokracisë sonë shumëetnike dhe përparimit demokratik”.

Komentet se ekziston mundësia e shfuqizimit të “Ligjit për Gjuhët”, kanë nxitur reagime te partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat vlerësojnë se çdo ndërhyrje ndaj ligjit mund të cenojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vend. Vetë Ali Ahmeti thekson në letër se kjo do të kthejë vendin në periudhë pasigurie. Në fund, kreu i BDI-së i bën thirrje kreut të VMRO-DPMNE Mickoski, të reflektojë mbi këto vendime

Më herët kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitijan Mickoski e cilësoi propozimin e koalicionit VLEN për krijimin e Akademisë Shqiptare si “temë etnike dhe nacionale që nuk është në prioritetin e qeverisjes së tij”.

Një letër mbi këto shqetësime që po lindin lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese për rishikimin “Ligjit e Gjuhët”, kreu i BDI-së ia ka dërguar më herët edhe kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë në Kosovë, Evropë dhe SHBA

Letra e Ali Ahmetit drejtuar Hristijan Mickoskit

I nderuar z. Hristijan Mickoski,

Kryetar i VMRO-DPMNE,

Po ju drejtohem në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për vendin tonë. Gjendja gjeopolitike është më e rrezikshme se kurrë më parë që nga fundi i shekullit të kaluar, me përshkallëzimin e agresionit rus në Ukrainë, ambiciet e Kinës, situatën e ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor, paqëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe bllokadat e vazhdueshme nga Bullgaria. Në këtë mjedis të ndërlikuar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja serioze për kohezionin e brendshëm dhe parashikueshmërinë.

Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat duket se janë ekzekutim i programit të partisë suaj për të shfuqizuar mekanizmat kyç për mbrojtjen e komuniteteve, kanë shkaktuar shqetësim tek të gjithë qytetarët që janë të përkushtuar për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të qëndrueshme në Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja e Ohrit, e cila solli një mirëkuptim më të mirë ndëretnik, nuk është vetëm një çështje politike, por një themel i demokracisë sonë shumëetnike dhe përparimit demokratik. Çdo përpjekje për ta vënë atë në pikëpyetje, veçanërisht në kontekstin aktual, është një hap që mund të përkeqësojë situatën në vend dhe rajon.

Vendimet për të ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është element kyç i Marrëveshjes së Ohrit, nuk janë vetëm politikisht të diskutueshme, por edhe të dëmshme për përparimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve. Ky është një zhvillim që mund të minojë përfitimet e fituara me përpjekje të mëdha dhe ta kthejë vendin në periudha pasigurie.

Prandaj, ju bëj thirrje të reflektoni me maturi dhe përgjegjësi për këto vendime që kanë potencial të dëmtojnë kohezionin shumëetnik në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e vendit tonë duhet të ndërtohet mbi bazën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, e jo mbi ndarje. Çdo hap që prish këto themele është i dëmshëm për të ardhmen e vendit tonë dhe për të gjithë qytetarët e tij, pa dallim etnie.

Me respekt,

Ali Ahmeti

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim

RTSH Shkodra

Recent Posts

Falja e gjobave, institucionet kanë 30 ditë afat për të përpiluar listat e përfituesve

Të gjitha gjobat që kanë marrë qytetarët dhe bizneset, të vendosura nga data 1 janar…

21 hours ago

Berisha: Kërkojmë qeveri teknike! Misioni im mbaron kur shqiptarët të votojnë të lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sot thirrje për qeveri teknike me një…

21 hours ago

Shtim i divorceve në Shkodër – Avokati Brunga: Dhuna në familje dhe tradhëtia ndër shkaqet më kryesore

Rastet e divorceve në Shkodër kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit. Kështu shprehet avokati…

21 hours ago

Bimët dekorative – Zona e Dajçit eksportuese në të gjithë Ballkanin

Në dekadën e fundit, banorët e Dajçit kanë braktisur bujqësinë, teksa punishtet e tyre jane…

21 hours ago

Turizëm brigjeve të liqenit të Shkodrës – Plan konkret për zhvillimin nga Malësia e Madhe deri në Shkodër

Në Shkodër po përgatitet plani konkret që synon zhvillimin e turizmit përgjatë gjithë vijës së…

21 hours ago

“Higjiena kibernetike në shkolla” – Aktiviteti nisi me shkollën “Oso Kuka”

 Në një realitet ku fëmijët tanë jetojnë në botë fizike dhe virtuale njëkohësisht, siguria digjitale…

21 hours ago