Lezha tërheq turistët me kampera – Zona e Ranës së Hedhun një prej destinacioneve më të pëlqyera
Rajoni i Lezhës është kthyer në një destinacion mjaft të pëlqyeshëm për eksploruesit e natyrës. Teksa jemi në stinën e vjeshtës, numri i turistëve me kampera është mjaft i lartë kryesisht në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Të ardhur nga vende të ndryshme të botës, turistët vlerësojnë bukuritë natyrore, mikpritjen e vendasve dhe kushtet e përshtatshme klimaterike për pushime në çdo stinë.
“E kam parë në Instagram vendin dhe vendosa që të vij bashkë me familjen time. Lezha na ka tërhequr shumë. Këtu ka det, lagunë dhe mal dhe mbi të gjithë ushqime shumë të shijshme. Me pak fjalë po e kalojmë shumë mirë, pasi dhe njerëzit janë shumë bujar dhe mirëpritës. Këtu tek Rana e Hedhun është një mrekulli e vërtet dhe po qëndrojmë për disa ditë, pasi dhe moti ka qenë i ngrohtë“, u shpreh një turist.
“Pasi kemi shëtitur në disa vende, bashkë me një grup miqsh vendosem që të vijmë dhe këtu në Shqipëri. Lezhën na kanë sugjeruar dhe vendosem që të ndalojmë. Po e kalojmë shumë mirë. Natyra dhe njerëzit janë të mrekullueshëm. Do ju sugjeroja çdo kujt që të vijë këtu sepse vërtet ja vlen të kalosh ca ditë. E dua shumë Shqipërinë“, tha një turiste tjetër.
Krahas bregdetit, Lezha është mjaft tërheqëse edhe për kulturën, historinë dhe gastronominë, duke ofruar në këtë mënyre turizëm gjithëvjetor.