Leksion i hapur në UNISHK – Vlerat natyrore dhe ekologjike në Shqipërinë e Veriut diskutohen nga studentë e pedagogë

43 studentë dhe pedagogë të ciklit master nga Universiteti i Klagenfurtit në Austri morën pjesë në një leksion të hapur në Universitetin e Shkodrës.
Pedagogia e Departamentit të Biologjisë, Prof. Aurora Dibra, prezantoi vlerat natyrore dhe ekologjike të Shqipërisë së Veriut, duke i vlerësuar ato si një potencial i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm.
Për profesorin e studimeve të paqes në Universitetin e Klagenfurtit, Werner Wintersteiner, Shqipëria, me historinë dhe burimet e saj natyrore, përbën një vend shumë interesant edhe nga pikëpamja akademike.
Gjatë leksionit, grupi i vizitorëve austriakë u njoh me disa nga zonat e mbrojtura të veriut të vendit, si dhe me mënyrën e menaxhimit të tyre në funksion të ruajtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit lokal.