Lamallari prezanton ndryshimet në Kodin Penal: Dekriminalizohet shpifja për gazetarët, parkimi dysh penalizohet kur pengon emergjencat

lamallar 28

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi në Kuvend projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ai theksoi se kjo paketë është pjesë e procesit të integrimit europian dhe synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, duke e cilësuar si një politikë penale më të qartë, më koherente dhe më europiane.

Në fjalën e tij, Lamallari e cilësoi dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët si një hap historik dhe një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar bën ndaj medias.

“Dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët është një hap historik. Për herë të parë, shteti shqiptar garanton mbrojtje të plotë për lirinë e shprehjes dhe punën e medias, pa i vendosur gazetarët nën presionin e ndjekjes penale.”

Ai u ndal edhe tek fenomeni i përditshëm i parkimit në rresht të dytë, duke sqaruar se ky veprim do të trajtohet si vepër penale vetëm kur pengon qarkullimin e mjeteve të emergjencës.

 “Parkimi në rresht të dytë do të trajtohet si vepër penale vetëm kur pengon qarkullimin e ambulancave, zjarrfikësve apo policisë. Ky është një fenomen i përditshëm që kërkon ndërhyrje të matur dhe të domethënëse.”

Ministri theksoi se ndryshimet nuk synojnë një rishkrim të plotë të Kodit Penal, por janë ndërhyrje të domosdoshme dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Sot kemi sjellë në Kuvend një paketë të mirëmenduar ndryshimesh në Kodin Penal, paketë e cila nuk synon dhe as nuk pretendon të jetë një rishkrim i plotë i këtij kodi themelor. Ndryshimet që sot vijnë për diskutim dhe votim janë ndërhyrje të domosdoshme, të fokusuara dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike, nga praktika e zbatimit dhe nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.”

Ai shtoi se kjo paketë përfaqëson një hap të matur, por të vendosur, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te drejtësia.

“Kjo paketë përfaqëson një politikë penale më të qartë, më koherente dhe më evropiane, e ndërtuar mbi analiza konkrete, konsultime institucionale dhe mbi përvojën e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo është një hap i matur, por i vendosur, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te drejtësia.”

Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është përafrimi i legjislacionit penal shqiptar me Acquis Communautaire, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”. “Projektligji adreson drejtpërdrejt piketat e ndërmjetme të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe synon të mbyllë boshllëqe të evidentuara prej vitesh në transpozimin korrekt të instrumenteve evropiane. Kodi Penal përafrohet plotësisht me shtatë instrumente kyçe të Bashkimit Evropian, që lidhen me luftën kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve, terrorizmit, si dhe mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së Bashkimit Evropian.”

Lamallari theksoi se ndryshimet e propozuara nuk janë thjesht formale, por masa konkrete që synojnë të forcojnë kapacitetin e shtetit për të ndjekur krimin e organizuar dhe kriminalitetin ndërkufitar. Ai sqaroi se këto ndërhyrje rrisin realisht aftësinë e organeve të drejtësisë për të vepruar, duke zgjeruar juridiksionin penal të Republikës së Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit, duke hequr në raste të caktuara kushtin e dënueshmërisë së dyfishtë dhe duke lehtësuar provën për origjinën kriminale të pasurive.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve më të cenueshme.

“Kjo paketë modernizon dhe ashpërson veprat penale me natyrë seksuale, rrit ndjeshëm dënimet, zgjeron afatet e parashkrimit dhe parashikon ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijë. Një parim themelor që forcohet është ai që viktimat e mitura nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si autorë, por si subjekte që meritojnë mbrojtje maksimale dhe trajtim dinjitoz, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.”

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji sjell një qasje të qartë zero tolerancë. “Ai përjashton çdo efekt justifikues të pëlqimit të viktimës, zgjeron përkufizimin e shfrytëzimit dhe kriminalizon përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit. Ky është një mesazh i fortë se dinjiteti njerëzor nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të negociohet.”

Lamallari u ndal edhe tek problematikat e mjedisit dhe abuzimit me detyrën. “Ashpërsohet ndjeshëm trajtimi penal për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimin dhe shfrytëzimin pa titull ligjor, veçanërisht kur këto vepra kryhen në zona të mbrojtura, parqe natyrore, objekte të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturë kritike. Dënimet bëhen edhe më të rënda kur autorët janë persona që ushtrojnë funksione publike, duke reflektuar qartë një qasje pa kompromis ndaj abuzimit me detyrën.”

Po ashtu, ai theksoi se forcohet ndëshkimi për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore. “Sidomos kur rrezikohen zona të banuara, pasuri kulturore apo infrastruktura jetike, ose kur zjarrvënia përdoret si mjet për ndryshimin e destinacionit të tokës.”

Lamallari e cilësoi këtë paketë si një hap konkret drejt një sistemi penal modern dhe të përputhshëm me standardet europiane, duke shtuar se, “Të nderuar deputetë, në tërësi, kjo paketë ndryshimesh përfaqëson një politikë penale më të qartë, më të drejtë dhe më efikase. Ajo synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por parandalimin e tij, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë për qytetarët. Është një hap konkret drejt një sistemi penal modern, funksional dhe plotësisht të përputhshëm me standardet evropiane. Ju ftoj ta mbështesni këtë paketë jo si një akt formal, por si një investim në sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”