Kuvendi rrëzon kërkesën e opozitës për heqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për Avokatin e Popullit
Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e opozitës për heqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e avokatit të popullit. Pas tre orësh debate e tensione, kërkesa e opozitës mori vetëm 30 vota nga ana e opozitës dhe 77 kundër nga mazhoranca.
Nga ana e saj opozita pretendon se është konform rregullores së Kuvendit pasi sipas tyre, kërkesa për tërheqjen e firmave të saj nga kandidaturat për Avokat Populli, është depozituar në Kuvend që në datën 2 dhjetor, ndërsa mazhoranca nga ana e saj argumentoi se kërkesa për heqjen e projektvendimit nga rendi i ditës, nuk është legjitime.
Kryeparlamentari Niko Peleshi deklaroi se duhet përmbyllur procesi për zgjedhjet e Avokatit të Popullit, pasi prej tre vitesh theksoi ai, po zvarritet.
“Një çështje e dështuar për 3 vite për mungesën e aftësisë sonë të përbashkët. Ne duhet të zgjedhim një Avokat Populli, duhet përmbyllur ky proces.
Në këtë proces mazhoranca 2-3 herë ka bërë të njohur qëndirmin evetë politik që për të garantuar traditën parlamentare, avokati i popullit zgjidhet përmes propozimeve të opozitës. Unë sot në tavolinë nuk kam asnjë kandidat që ka qoftë dhe një firmë nga PS.
Por sidoqoftë dhe nëse do ishte ndryshe, do isha i detyruar ta kaloja në seancë.
Dëshira për konsensus është shumë e madhe por s’mund të pengoj një proces”, deklaroi Peleshi.
