Kuvendi- PD kërkon tërheqjen e Endri Shabanit nga kandidatura e Avokatit të Popullit: Japim firmat për Adriana Kalanë dhe Besim Ndregjonin

kuvendi 11

Ka nisur me debate seanca e sotme plenare. Partia Demokratike ka kërkuar në nisje të punimeve, heqjen nga rendi i ditës së seancës plenare të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Sipas demokratit Belind Këlliçi, opozita ka depozituar në mënyrë zyrtare në Kuvend kërkesën për tërheqjen e firmave të saj nga kandidaturat për Avokat Populli, ndërsa dhanë mbështetjen për Adriana Kalanë dhe Besim Ndregjonin.

PD kërkoi tërheqjen e kandidaturës së Endri Shabanit, pasi pretendon se ai po çon para skenarin e mazhorancës se Avokatin e Popullit do e zgjedhë PS-ja.

“Duke parë rendin e ditës në pikën 18 keni përfshirë projektvendimin për zgjedhjen e avokatit të popullit. Më 5 dhjetor grupi parlamentar i PD ka njoftuar zyrtarisht për tërheqjen e firmave tona nga të gjitha kandidaturat.

26 kandidatura por sigurisht aty ndodhet dhe lepuri i Surrelit, Endri Shabani i cili sot po çon para skenarin e mazhorancës  të paralajmëruar javë më parë se avokatin e popullit do e marrë PS.

Qëndrimi ynë, tërhiqni emrin e Endri Shabanit nga lista e propozimeve., kandidaturat zyrtare të PD-së janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.

Jemi të gatshëm të bledhim firmat për të paraqitur 1 apo 2 kandidatura anë emër të opozitës. Asnjë prej kandidaturave që këkroni të hidhni në votim nuk është e ligjshme”, deklaroi Këlliçi.

Në të njëjtën linjë vijoi dhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili ka reaguar me tone të forta lidhur me procedurat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke akuzuar opozitën për shkelje të vendimit të Komisionit të Ligjeve.

“E keqja banale e kombit jeni ju. Ky parlament ka një Komision Ligjesh, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe organizimin e procedurës së votimit për Avokatin e Popullit. Ne zbatuam vendimin e Komisionit, duke tërhequr të gjitha firmat e tepërta, por ju tani po përmbysni këtë vendim për të grabitur Avokatin e Popullit,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se vendimi i Komisionit të Ligjeve është i qartë, çdo deputet mund të japë vetëm një firmë për një kandidat, dhe çdo shkelje tjetër nuk mund të pranohet. Berisha theksoi se kandidati që opozita e ka mbështetur, i referuar si “Lepuri i Surrelit”, nuk mund të marrë asnjë firmë në përputhje me këtë vendim.

Ju po i bëni edhe atij kukumalen në qafë për të realizuar një akt të turpshëm. Bëjeni, por kjo është një gjë shumë e ulët,” u shpreh Berisha.

Debati për Avokatin e Popullit, tensione në Kuvend, ndërpritet seanca plenare

Kuvendi ka ndërprerë për 10 minuta punimet e seancës pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Ky i fundit ka deklaruar se opozita po shkel rregulloren e Kuvendit, duke mos dhënë asnjë argument mbi kërkesën për heqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Balla akuzoi opozitën se me mbështetjen e dhënë ndaj dy kandidatëve Besim Ndregjoni dhe Adriana Kalaja nuk po bën asgjë tjetër veçse po tallet me ta. Balla sqaroi se Ndregjoni nuk plotëson kriteret për Avokat Popullit për shkak të moshës. Por fjala e Ballës, është ndërprerë nga deputetët demokratët. Tensioni i krijuar në sallë, çoi në ndërprerjen e punimeve të seancës.

“Ka ardhur një kërkesë për ndryshim rendi dite. E keni sjellë sipas rregullores 24 orë përpara, deri tani jemi në shkelje të hapur të rregullores sepse ende s’kemi dëgjuar argumentin. Njëri i bie patkoit, tjetri gozhdës. Asnjë s’ka sqaruar përse kjo ccështje duhet të ikë nga rendi i ditës. Dëgjova tallje, njëri fliste për lepuj. Po hytë te lepujt flisni dhe për zagarët. Në pritë lepurin e nxjerr zagari.

Ju talleni me një të persekutuar politik si Besim Ndregjoni. Të gjithë e dini që ai nuk zgjidhet dot se nuk e lejon ligji se ka mbushur 70-vjeç. Ju talleni me Adriana Kalanë. Ndërpres fjalën deri sa ta nxirrni përjashta atë zotërinë. Kërkoj ndërprerjen e seancës”, tha Balla.

”Ne japim pushtetin për të ndërtuar shtetin”, Klosi: Diskutimi për Avokatin e Popullit, më absurdi i bërë ndonjëherë  

Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar vendimin e Partisë Demokratike për tërheqjen e firmave për kandidatët për Avokatin e Popullit, si dhe akuzat e opozitës se mazhoranca kërkon të vendosë në krye të institucionit Endri Shabanin.

Në fjalën e tij në seancën plenare, Klosi e cilësoi debatin si një shembull të dy filozofive të ndryshme politike që përplasen në Parlament.

Diskutimet për Avokatin e Popullit, në fakt, përfaqësojnë mënyrën se si ne jemi, si jemi ndërtuar, si funksionojmë dhe se ku ndahemi. Janë dy filozofi dhe dy standarde të ndryshme, dy mënyra se si funksionojmë, dhe që na sjellin në këtë diskutim më absurd që ka bërë ky parlament,” tha Klosi.

Ai kujtoi se Avokati i Popullit është një institucion i ngritur me ligj të miratuar nga mazhoranca socialiste në vitin 1999, duke u bazuar në filozofinë e liderit themelues të PS-së, Fatos Nano.

Sipas filozofisë sonë të shprehur qartë nga Fatos Nano, ne dorëzojmë pushtet për të bërë shtet. Avokati i Popullit është ndërtuar që të vijë si një kandidaturë konsensuale, që pushteti t’ia japë për të ndërtuar shtet. Kjo është filozofia jonë dhe kjo është ajo që ne bëjmë me drejtësinë e re,” u shpreh ai.

Klosi theksoi se mazhoranca nuk ka firmosur për asnjë nga kandidatët e propozuar, duke i lënë procesin në dorë të opozitës.

Nga momenti i mbështetjes kjo histori ka marrë fund. Të 6 kandidatët, falë filozofisë sonë, nuk janë mbështetur nga PS, janë 100% të mbështetur nga opozita. Ne morëm një vendim politik, asnjë nga 83 deputetët e PS nuk firmosëm, sepse nuk kishim të drejtën t’i propozonim,” tha Klosi.

Duke iu drejtuar opozitës, ai akuzoi për mungesë lidershipi dhe arrogancë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Kandidatët erdhën si propozim i juaji, por është mungesa e lidershipit, mungesa e ndjesisë së fitores, arroganca, dhe kjo që doli sot ‘ne mendojmë ndryshe’. S’ka ndryshe, shteti funksionon mbi bazën e ligjit,” përfundoi Klosi.