Kuvendi i Kosovës nuk arrin konstituimin e legjislaturës së nëntë, dështon edhe përpjekja e 45-të

Kuvendi i Kosovës nuk arr

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur dot konstituimin e legjislaturës së nëntë duke bërë që të dështojë sërish përpjekja e 45-të.

Vetëm 49 deputetë i kanë dhënë votë pro Komisionit për Votim të Fshehtë, vota këto të pamjaftueshme që të zhbllokohet procesi, ndërsa seanca u ndërpre. Seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, të dielën e 13 korrikut në ora 11:00.

Seanca e sotme nisi me një minutë heshtje në kujtim të masakrës së Srebrenicës.

“Me 11 korrik të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës janë masakruar dhe janë vrarë mbi 8 mijë boshnjakë. Kjo masakër, ky gjenocid përkujtohet në gjithë botën demokratike, zyrtarisht përkujtohet edhe në Republikën tonë”, tha kryesuesi i seancës Avni Dehari, ndërsa ftoi deputetët për 1 minutë heshtje.

Pas përkujtimit për viktimat e Srebrenicës, Dehari vazhdoi me seancën, duke i ftuar partitë politike për të dhënë propozimet e tyre për Komisionin për Votim të Fshehtë, përmes së cilit synohet zgjedhja e kryeparlamentarit.

Abelard Tahiri i PDK-së tha se është hera e 45-të që kryesuesi po shkel Kushtetutën.

“Kjo është e papranueshme”, tha ai ndërsa pas tij në foltore doli edhe deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni.

“Propozoj që ju të ktheheni në rendin e ditës e ta respektoni Gjykatën Kushtetuese, kthehuni në procedurë”, u shpreh Hyseni.

Nga ana e saj Time Kadrijaj nga AKK theksoi se “po shohim që ka një bllokadë të qëllimshme”.

Kur erdhi radha votimit për komisionin i ardhur si propozim i kryesuesit, vetëm 49 vota ishin pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.