Kurti pas deklaratës së Trump: Trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, të na dorëzojë Radoiçiqin

Kurti pas deklaratës së Trump

Pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se ai do të tentojë të ulë sërish për një marrëveshje Kosovën dhe Serbinë, kryeministri Albin Kurti fajësoi të hënën Serbinë se po vonon normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Në një deklaratë për mediet, z. Kurti konfirmoi gatishmërinë e Prishtinës për të marrë pjesë në një tryezë të negociuar nga SHBA-ja, që e konsideroi “partner të pazëvendësueshëm dhe mik special”.

Për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikësëpari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë, Milan Radojçiqin, kryekriminelin që na vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pastaj të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Bërnabiq pati thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës.

Trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA të cilët paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore: e para mbrojtja, e dyta është diplomacia dhe e treta është zhvillimi,” deklaroi kryeministri i Kosovës.

Një ditë më parë presidenti Trump, duke marrë shkas nga konflikti i fundit në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Iranit, tha se në luftë rrezikonin të shkonin edhe Kosova dhe Serbinë gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Palët u ftuan të arrijnë një marrëveshje në zyrën ovale në shtator 2020, të fokusuar kryesisht te normalizimi i marrëdhënieve ekonomike.

Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin në tension të madh, siç kanë qenë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova! (Biden i ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë idiote, por unë do ta ndreq përsëri!),” shkroi Trump në rrjetin social “Truth Social”.