Kurti në Davos: Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike

Kurti në Davo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, tha për RTK-në se Kosova po ofron mundësi unike për investime, duke theksuar stabilitetin institucional, besueshmërinë e qeverisë dhe potencialin e të rinjve.

“Ne tregojmë partnerëve ndërkombëtarë mundësitë për investime në Kosovë, jo vetëm si një treg apo platformë prodhimi, por si një shtet me politika fiskale të favorshme dhe mundësi për të angazhuar të rinjtë tanë energjikë, të talentuar dhe shumëgjuhësh”, tha Kurti.

Ai shtoi se vendi është në zemër të rajonit EMEA (Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore), duke e bërë një destinacion tërheqës për krijimin e degëve dhe bizneseve të reja.

“Kërkojmë që, edhe në kohë turbulencash gjeopolitike dhe çrregullimesh në linjat botërore tregtare, investitorët të kenë besim te Kosova si shtet demokratik me sundim të ligjit dhe parashikueshmëri institucionale”, tha ai.

Kurti theksoi se Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike. “Ekonomia rritet çdo vit, ndërsa ndërmarrjet me pronësi të huaj janë shtuar për 55% krahasuar me katër vitet e fundit,” u shpreh ai.

Duke folur për aktivitetet në Davos, Kurti tha se kjo pjesëmarrje ka qenë më intensive se herët e tjera, me më shumë panele dhe takime bilaterale. Ai falënderoi ndërmarrësit nga mërgata, duke e quajtur Shtëpinë e Kosovës këtë vit “Vatra e Talentit”, një vend takimi për mysafirë nga e gjithë bota.

Kurti përmendi gjithashtu rëndësinë e besimit në politikë dhe institucionet publike, duke theksuar se ai është kyç jo vetëm për kohezionin social dhe mbijetesën në kriza, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe progresin e vendit.