Kultivoi 11.358 rrënjë kanabis në Malësi të Madhe, SPAK çon për gjykim Mark Gilajn

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, të pandehurin Mark Gilaj, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Sipas njoftimit të SPAK, nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se më datë 25.07.2024, pas kontrollit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pranë fshatit Selcë, në një sipërfaqe toke livadh është gjetur sasia e kultivuar, prej 11,358 (njëmbëdhjetëmijë e treqind e pesëdhjetë e tetë) bimë narkotike cannabis cattiva.
Bimët, me lartësi 40 – 100 cm kanë qenë të mbjella në 3 parcela pranë njëra-tjetrës, në një sipërfaqe prej 6,956 m2. Policia gjyqësore ka arrestuar në flagrancë të pandehurin Mark Gilaj.
SPAK cilëson në njoftimin zyrtar, se nga kontrolli i ushtruar në një kasolle të improvizuar nga i pandehuri dhe bashkëpunëtorët e tij, janë sekuestruar një pushkë Model 56, një armë gjahu me mbishkrim “SALSIMAZ”, si dhe disa fishekë luftarakë.
Lidhur me këtë procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe nga analiza e provave të administruara ka rezultuar e provuar se i pandehuri Mark Gilaj ka ushtruar veprimtarinë e kultivimit të bimëve narkotike pa leje dhe autorizim sipas ligjit si dhe ka mbajtur pa leje armë zjarri dhe armë gjuetie, duke konsumuar elementët e veprave penale për të cilat është akuzuar, të parashikuara nga nenet 284/1, 28/4, 334/1, 333/a/1, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
Ky i pandehur ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme të cilën e ka konsumuar në bashkëpunim, me disa persona të tjerë, në formën e grupit të strukturuar kriminal.