Kryeministri i Groenlandës: Do të zgjidhnim Danimarkën mbi SHBA-në

Screenshot_3-4

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen ka deklaruar se populli i tij do të zgjidhte Danimarkën mbi Shtetet e Bashkuara nëse do t’u kërkohej të bënin një zgjedhje të tillë.

Deklarata e Jens-Frederik Nielsen u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe përfaqëson qëndrimin më të fortë deri më tani nga një udhëheqës i territorit gjysmë-autonom danez, që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rinovoi idenë e tij për aneksimin e Groenlandës.

“Nëse duhet të zgjedhim midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës këtu dhe tani, ne zgjedhim Danimarkën. Groenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi, të qeveriset apo të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Trump ka deklaruar se SHBA-të duhet të “zotërojnë” Groenlandën për t’u mbrojtur nga Rusia dhe Kina. Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar blerjen e ishullit, duke mos e përjashtuar as përdorimin e forcës për ta marrë atë.

Danimarka, si anëtare e NATO-s, ka reaguar ashpër. Kryeministrja Frederiksen paralajmëroi se përdorimi i forcës ushtarake do të shënonte fundin e aleancës mbrojtëse transatlantike, duke e quajtur presionin amerikan “krejtësisht të papranueshëm”.

Megjithëse është territori më pak i populluar në botë, Groenlanda ka një pozicion strategjik mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke qenë kyç për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve raketore dhe për monitorimin e aktivitetit detar në rajon.

SHBA-të tashmë kanë mbi 100 trupa të stacionuara në bazën ushtarake Pituffik në veriperëndim të Groenlandës, e cila operohet nga amerikanët që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, Uashingtoni ka të drejtë të dërgojë edhe më shumë trupa në ishull.

Megjithatë, Trump ka insistuar se një marrëveshje qiraje nuk mjafton dhe se SHBA-të duhet të kenë “pronësi të plotë” mbi Groenlandën, duke shtuar se “NATO-ja duhet ta kuptojë këtë”.

Konferenca për shtyp u zhvillua një ditë përpara vizitës së ministrit të Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, dhe homologes së tij nga Groenlanda, Vivian Motzfeldt, në SHBA, ku pritet të takohen me Zëvendëspresidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

Ndërkohë, aleatët e Danimarkës në NATO, përfshirë vendet kryesore evropiane dhe Kanadanë, kanë dalë në mbështetje të saj, duke theksuar se vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për marrëdhëniet mes tyre dhe duke bërë thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, sipas Kartës së OKB-së.