Krimet zgjedhore gjatë fushatës dhe votimit, SPAK: Po hetojmë 39 kallëzime! 17  verifikim në polici, 25 mosfillim hetimi

SPAK

Struktura e Posaçme Antikorrupsion bëri të ditur të dhënat zyrtare për krimet zgjedhore, të cilat janë depozituar pranë saj në formën e kallëzimeve si nga qytetarët ashtu edhe nga partitë politike.

Të dhënat që Prokuroria e Posaçme vuri në dispozicion të medias, tregojnë se prokurorët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit po hetojnë 39 kallëzime për krimet zgjedhore, ku 17 kallëzime janë  dërguar për verifikim në polici ndërsa për 25 kallëzime u vendos mosfillimi i hetimit.

Në total numërohen 156 materiale hetimore, ku 24 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve, 17 materiale janë dërguar për verifikim në polici dhe 1 material është bashkuar me një çështje tjetër ekzsituese

SPAK konfirmon se, nga 39 procedimet penale të regjistruara, 21 janë mbi bazën e referimit të policisë, 1 nga SHKB e burgjeve, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 kallëzime nga qytetarët dhe 3 kallëzime nga subjektet politike.

Veprat penale për të cilat janë bërë këto kallëzime janë: 33 procedime për korrupsion aktiv në zgjedhje, 4 procedime për  korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, 1 procedim është për përdorim të funksionit publik për zgjedhje dhe 1 procedim për përdorim të funksionit publik për zgjedhje dhe shpërdorim detyre.

SPAK tha se 50 denoncime kanë shkuar në mënyrë elektronike ë portalin e ngritur pikërisht për këtë qëllim dhe 5 denoncime përmes numrit të gjelbër që vuri gjatë së dielës në dispozicion të qytetarëve.