Krasniqi kujton figurat e shquara të radios dhe ekranit ndër vite: Mirënjohje për kontributin tuaj, keni qenë shkollë për ne”

Krasniqi kujton figurat e sh

Një urim special, për profesionistë veteranë, me vlera të çmuara në media, ka përcjellë kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në prag të festave të këtij fundviti. Për të kujtuar kontributin e dhënë, për t’ju shprehur mirënjohjen për themelet e hedhura nga ata në median shqiptare, Krasniqi ka organizuar një pritje të veçantë, në nder të figurave të shquara ndër vite, të radios dhe ekranit.

Regjisorë, folës, gazetarë, operatorë, teknikë dhe profesionistë të tjerë të medias, pionierë të Radio-Televizionit publik, të cilët ushqyen median shqiptare me përvojën e tyre të jashtëzakonshme, kanë shprehur emocione për ftesën e veçantë duke e shndërruar në një takim mbresëlënës, me shumë kujtime, mall, urime e trokitje gotash, pritjen e organizuar nga Krasniqi. 

Është privilegj për mua ta mbyll vitin e rrethuar nga personalitete si ju, me kontribute të jashtëzakonshme në media dhe jetën publike. Ju keni qenë shkollë për ne dhe ajo çfarë më bën të ndihem mirë sot është se duke qenë vetë nga bota e medias, duke qenë se jam rritur me shembullin e shumë prej jush, duke qenë se edhe vetë e kam nisur karrierën shumë e vogël në një gjigand mediatik siç është RTSH, përveç mirënjohjes sot ndjej edhe shumë nostalgji“, tha Krasniqi duke ju uruar jetë të gjatë e festa të gëzuara.