KQZ thirrje diasporës në Kosovë: Regjistrohuni për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u është adresuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht. Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së,” deklaroi z. Radoniqi.
Në emër të KQZ-së, kryetari ftoi të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor.
“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e komunës tuaj,” shtoi z. Radoniqi.
Vetëm shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.
Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësitë diplomatike nuk aplikohet në një proces të tillë. Ndërkohë partitë politike kanë nisur të shpallin kandidatët për kryetarë të komunave.
