Kosovë- Osmani do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese: Nuk ka sqaruar pasojat ligjore në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik

Vjosa Osmani, ka ko

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime mbi pasojat e moskonstituimit të Kuvendit pas afatit të 26 korrikut. Këto deklarata, Osmani i bëri gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takoi zyrtarë të lartë dhe mori pjesë në diskutime, përfshirë atë në Hudson Institute në Uashington.

Ajo theksoi se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka sqaruar mjaftueshëm pasojat ligjore në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.

“Në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar i vetëm. U hartua në një mënyrë me një mendim pozitiv, që ligjvënësit do të bashkëpunonin, në vend që të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin,” shpjegoi Osmani. “Pra, tani për tani, për shkak të një mungese qartësie kushtetuese, Parlamenti nuk është konstituuar.”

Ajo shtoi se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar afatin e rreptë 30-ditor, por “nuk sqaroi se cilat janë pasojat ligjore të mosrespektimit të atij afati të detyrueshëm kushtetues.” Prandaj, Osmani deklaroi se do t’i drejtohet sërish gjykatës me “pyetje të veçanta” për këtë çështje, duke shpresuar për një përgjigje.

Pavarësisht kësaj situate, Presidentja Osmani u shpreh optimiste për tejkalimin e ngërçit politik, duke theksuar se moskonstituimi i Kuvendit po i sjell dëme të konsiderueshme Kosovës dhe qytetarëve të saj.