Korrupsion me tendera dhe pastrim parash, SPAK kalon për gjykim dosjen e ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi
Prokuroria e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi si dhe personat e tjerë që janë marrë të pandehur për këtë çështje.
Beberi kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por gjyqtari i seancës paraprake tha se për këtë do vendosë trupa e themelit.
Avokati mbrojtës i Berberit pretendoi se nuk provohen akuzat dhe e la në vlerësim të gjykatës në rast se hetimet janë apo jo të plota si dhe për pranimin e kërkesës së tij për gjykim të shkurtuar.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe dy ortakët e tij, biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lame janë arrestuar më 13 mars 2024.
Berberi, gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar, i ka dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj “NET – GROUP”, sh.p.k.
Kjo e fundit, përmes transaksioneve, paratë i kalonte kompanisë ‘DAAM” që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte.
SPAK ka thënë se përfitimi ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat janë investuar nga kompania ‘DAAM’ sh.p.k në pasuri të paluajtshme.
