“Koordinata”, asgjësohen 2936 bimë kanabis në Shkodër
Në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”, Policia e Shkodrës ka gjetur dhe ka asgjësuar 2936 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa.
Konkretisht, siç njoftoi Policia, “shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën të kultivuara në territorin e njësive administrative Shalë dhe Shosh, dhe asgjësuan 1792 bimë të dyshuara narkotike”.
“Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për: inxhinierin e pyjeve, shtetasin A. M., për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi; rojën e zonave të mbrojtura, shtetasin L. A., për shpërdorim detyre; kryeplakun e fshatit Lotaj, shtetasin L. M., për shpërdorim detyre; kryeplakun e fshatit Abat, shtetasin M. M., për shpërdorim detyre”, njoftoi Policia.
Gjithashtu, sipas Policisë, “shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësive administrative Shkrel dhe Kastrat, dhe asgjësuan 824 bimë të dyshuara narkotike”.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë-Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Qafë Mal, dhe asgjësuan 320 bimë të dyshuara narkotike”, njoftoi Policia.
Policia bëri me dije se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.
