Kontrast i thellë në transport, fluturimet prekin shifrën 2.6 milionë pasagjerë, hekurudha shkon drejt “zhdukjes” me vetëm 178 udhëtarë

treni vjeter

Transporti në Shqipëri po lëviz me dy shpejtësi të kundërta. Ndërsa aeroportet gumëzhijnë nga miliona udhëtarë, stacionet e trenave kanë mbetur pothuajse të braktisura.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin për Tremujorin e katërt të vitit 2025, i cili konfirmon hendekun drastik midis transportit ajror dhe atij hekurudhor.

Bumi i linjave ajrore

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajve tetor-dhjetor 2025, përmes linjave ajrore kanë udhëtuar 2,611,748 pasagjerë. Kjo shënon një rritje prej 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në treg kanë operuar 28 shoqëri ajrore (27 të huaja dhe 1 shqiptare), ndërsa volumi i mallrave të transportuara me ajër ka pësuar gjithashtu një rritje dyshifrore prej 18.9%.

Hekurudha, drejt fundit të epokës për udhëtarët

 Panorama paraqitet krejtësisht ndryshe për transportin hekurudhor. Statistikat tregojnë një situatë dramatike: gjatë gjithë tremujorit të katërt, trenat janë përdorur nga vetëm 178 pasagjerë në total. Kjo shifër përfaqëson një rënie prej 73.3% krahasuar me vitin 2024, duke e kthyer transportin e udhëtarëve me tren në një shërbim pothuajse inekzistent.

Bie edhe transporti i mallrave me tren

Kriza ka prekur edhe transportin e mallrave në shina. Volumi i mallrave zbriti në 98.9 mijë ton, duke shënuar një rënie prej 26%. Aktualisht, hekurudha shqiptare shërben kryesisht për industrinë e rëndë. Sipas INSTAT, 93.6% e mallrave të transportuara përbëhen nga qymyr, naftë bruto dhe gaz natyror, ndërsa rrjeti aktiv në shfrytëzim ka mbetur vetëm 253 km.

Raporti i INSTAT evidenton qartë se ndërsa shqiptarët dhe të huajt po zgjedhin masivisht avionin për të lëvizur, hekurudha ka mbetur një mjet transporti që i përket së shkuarës, ose përdoret ekskluzivisht për lëndë të para industriale.