Konstituimi i Kuvendit- Kurti ftesë partive politike për takim më 28 qershor

Kurti ftesë partive

Një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pak para nisjes së seancës plenare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, u ka dërguar një ftesë liderëve të subjekteve politike për takim pasditen e 28 qershorit.

Kjo lëvizje e Kurtit vjen në funksion të gjetjes së një rruge të përbashkët me qëllim zhbllokimin e ngërçit në Kuvend dhe konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkroi Kurti.

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese u kërkoi deputetëve që brenda 30 ditëve të arrijnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.

Gjykata konstatoi që Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025, si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit”, thuhej në aktgjykim.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj, por deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.