Konferenca për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Manja: Avokati i Popullit, partner i shtetit të së drejtës

të Drejtave të Njeriut

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka vlerësuar rolin e avokatit të popullit si një prej institucioneve mbrojtëse më të palodhura të të drejtave e lirve të qytetarëve, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Manja deklaroi më tej se rekomandimet e avokatit të popullit janë sinjale alarmi e udhërrëfyes për një administratë më të ndjeshme e llogaridhënëse.

Ndalur më tej te bashkëpunimi me institucionin e Avokatit të Popullit, Manja theksoi se janë hedhur hapa të rëndësishëm në sistemin penitenciar dhe përafrimin me standartet europiane.

“Avokati i popullit, një prej institucioneve më fisnike. Institucion i ngritur mbi idealin e drejtësisë, gjatë 25 viteve, ky institucion të jetë zëri i atyre që nuk dëgjohen.

Avokati i popullit ka folur me guxim kur të tjerët kanë heshtur, e ka mbrojtur me integritet. Ka qenë zëri i ndërgjegjes institucionale dhe mbrojtës i palodhur i të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Ne nuk e kemi parë e konsideruar avokatin e popullit si kundërshtar institucional, por si një partner të domosdoshëm për ndërtimin e një shteti funksional të së drejtës e rendit demokratik.

Rekomandimet e Avokatit të popullit janë sinjale alarmi e udhërrëfyes për një administratë më të ndjeshme e llogaridhënëse. Respektimi i tyre akt përgjegjësie ndaj qytetarit e shtetit. Nënvizoj bashkëpunimin e ngushtë me këtë institucion në sistemin penitenciar.

Kontributi i këtij institucioni ka qenë jetik. Kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt një sistemi më afër standardeve evropiane”, deklaroi Manja ndërsa nënvizoi se përvjetori i 25-të i institucionit të Avokatit të Popullit në vendin tonë, shërben si moment reflektimi për historinë e ndërtuar mbi dinjitetin njerëzor.

“Jemi në 25 vjetorin e lindjes së këtij institucioni. Nder dhe privilegj të jem pjesë e kësaj konference që shënon moment të veçantë për shtetin shqiptar dhe demokracinë tonë, 25-vjetorin e themelimit të institucionit të avokatit të popullit.

Ky përvjetor është një moment reflektimi në rrugëtimin e këtij institucioni. histori e ndërtuar mbi dinjitetin njerëzor, mbrojtjen e të drejtave themelor dhe përpjekjen tonë të përbashkët për një shoqëri model”, tha ai.

Nga ana e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetiese Holta Zaçaj u ka bërë një thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të mos ndruhen para zërit të Avokatit të Popullit, dhe ta shohin këtë institucion si një busull.

Zaçaj theksoi se nëse avokati i popullit është i papëlqyer për pushtetin, atëherë ai po e kryen misionin e tij siç duhet.

“Gjykata Kushtetuese mbron kushtetutën, kontratën mes popullit e pushtetit. Por teksa ne gjykojmë kushtetueshmërinë e ligjeve, mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, avokati i popullit na kujton atë që ligji dhe drejtësia s’duhet ta harrojnë kurrë: njeriun pas parimeve.

Në një shoqëri që kërkon të lërë pas hijet e autoritarizmit, avokati i popullit përfaqëson më shumë se sa një mbikëqyrje, ai është vetë kujtesa, kambana që bie për institucionet që duhet t’u shërbejnë njerëzve, jo pushtetit.

Nëse avokati i popullit është i papëlqyer për pushtetin, po e kryen misionin e tij siç duhet. Institucionet të punojnë në bashkëpunim, jo garë.

I drejtohem të gjithëve që mbajnë poste publike: mos kini frikë nga zëri i avokatit të popullit, por heshtjen që do ekzistonte pa të. Shiheni avokatin e popullit si busull”, deklaroi Zaçaj, ndërsa bëri dhe një thirrje të fundit për mbështetje ndaj institucionit të Avokatit të Popullit.

Ta mbështesim këtë institucion me respekt e të forcojmë pavarësinë e tij jo vetëm me fonde, por me përgjegjshmëri”, përfundoi ajo.