Konferenca e Rektorëve, Kumbaro: Janë miratuar 115 mln euro grante për universitetet. 7 mln euro për kërkimin shkencor për 2026
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se duhet një rishikim dhe përmirësim i Ligjit për Arsimin e Lartë, në një kohë kur vendi duhet të përshtatet me legjislacionin e Bashkimit Evropian ku synon të aderohet. Gjatë Konferencës së Rektorëve, që bëri bashkë 40 rektorët e universiteteve publike dhe private, Kumbaro kërkoi kontributin e secilit prej tyre për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, por edhe përmirësimit të infrastrukturës së arsimit.
“Shqipëria po përgatitet në mënyrë të qëndrueshme për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke u fokusuar fort te ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe përfshirja e tyre në projekte dhe rrjete akademike europiane. Kapitulli 25 dhe 26 që drejtohen nga Ministria e Arsimit kanë një avancim shumë të kënaqshëm dhe mendojmë se do jenë kapitujt e parë që do të mbyllen! Në këtë kontekst, kërkimi shkencor duhet të ecë me hapin e kohës, të jetë konkurrues, i orientuar drejt inovacionit dhe i lidhur ngushtë me nevojat e tregut dhe sfidat bashkëkohore prandaj këtu e shohim njëri-tjetrin në të njëjtën barkë! Vetëm kështu, institucionet e arsimit të lartë mund të kontribuojnë realisht në zhvillimin ekonomik, social dhe teknologjik të vendit”, tha ministrja.
Ministrja gjithashtu informoi për miratimin e 115 milionë eurove për grantet për universitetet, të cilat do të ndahen për mbështetje të institucioneve dhe bursa studentore në 14 universitete publike. Po ashtu, qeveria ka vënë në dispozicion 7 milionë euro për kërkimin shkencor dhe infrastrukturën kërkimore.
“Është një mbështetje prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, që ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale, përmes skemës së bursave. Por po shfrytëzoj këtë komunikim, për të nisur edhe një marrëdhënie të re në formën si komunikojmë dhe shkëmbejmë informacion, pasi Ministria e Arsimit, duhet të dijë saktësisht se sa fonde trashëgoni, në mënyrë që të kemi një shpërndarje më të drejtë. Nga ana tjetër, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, qeveria vë në dispozicion 7 milionë euro për kërkim shkencor dhe për infrastrukturë shkencore”, tha ministrja Kumbaro.
Edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha theksoi se proceset e transformimit të arsimit të lartë janë të lidhura ngushtë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ai e cilësoi arsimin e lartë si “një investim të rëndësishëm dhe një partner kyç në rrugën drejt BE-së,” duke shtuar se duhet të shihet si një mundësi dhe jo si një barrë për administratën shtetërore.
“Proces transformimesh që lidhen edhe me procesin e integrimit ne BE. Arsimi i Lartë është porta hyrëse dhe do të konsiderohet si investim dhe jo si barrë për administratën shtetërore, por si partner i rëndësishëm në rrugën drejt BE”, tha Hoxha.
