Koncert pianistik në “Prenkë Jakova” / Klasa e pianos, nën udhëheqjen e Dorina Saraçit, festoi mbylljen e vitit shkollor

Në ambientet e Sallës së Koncerteve të Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” u zhvillua koncerti tradicional “I Love Piano”, nën udhëheqjen e mësueses Dorina Saraçi, me rastin e përfundimit të vitit shkollor.
Në këtë mbrëmje, të mbushur me emocione dhe muzikë, performuan 23 fëmijë, të cilët interpretuan një repertor të zgjedhur, duke përfshirë vepra klasike, pjesë moderne dhe krijime të thjeshta që pasqyronin progresin e tyre gjatë vitit.
Mësuesja e pianos, Dorina Saraçi, u shpreh se ky koncert është më shumë se një shfaqje; është një dëshmi e përkushtimit dhe dashurisë së fëmijëve për artin.
Koncerti pianistik shërbeu si një mundësi jo vetëm për të promovuar talentet e reja të qytetit, por edhe për të forcuar lidhjen mes prindërve, fëmijëve dhe shkollës nëpërmjet artit.