Koncert klasik në Prizren, kujtohet 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare

Në Prizren u mbajt një koncert nga Orkestra e Harqeve të Elbasanit në kuadër të festimeve për 147-vjetorin e Lidhjes Shqiptare.
Mbrëmja, solli një ndërthurje mbresëlënëse të historisë me artin, në zemër të kryeqendrës së shpirtit kombëtar dhe kulturor shqiptar.
“Ishte një projekt shumë interesant, shumë i bukur. U përkushtuam shumë për të ndërtuar një program vokalo-instrumental. Numrat u përzgjodhën në përshtatje me vokalin dhe me atë që do jepej në skenë. Ne patëm numra duke filluar që tek “Flakët e Qiririt””, tha Blerim Narazani, drejtor artistik dhe dirigjent i Orkestrës.
I ftuar special ishte edhe tenori i njohur, Kastriot Tusha.
Kjo mbrëmje artistike nuk ishte vetëm një homazh për një ngjarje historike të rëndësishme, por edhe një dëshmi e gjallë e trashëgimisë kulturore dhe fuqisë së artit për të bashkuar shqiptarët rreth vlerave të përbashkëta.