Komisioni “Xhafaj” miraton ligjin për Agjencinë e re të Mbikëqyrjes së Vendimeve Penale, rritet kontrolli në burgje

Komisioni “Xhafaj”

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, nën drejtimin e kryetarit Fatmir Xhafaj, ka miratuar të martën projektligjin që riorganizon kontrollin mbi sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri.

Bëhet fjalë për projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, i cili synon të forcojë transparencën dhe llogaridhënien në këtë sektor delikat.

Projektligji u prezantua para komisionit nga zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha. Ajo shpjegoi se nisma ligjore përcakton qartë misionin, statusin dhe mënyrën e organizimit të Agjencisë së re, duke saktësuar detyrat dhe përgjegjësitë e punonjësve të saj.

Sipas zv/ministres Hoxha, ky ligj sjell një qasje të re në mënyrën se si mbikëqyret sistemi.

“Objektivi është rritja e kontrollit të brendshëm e të jashtëm civil, funksionimi i plotë i një qasjeje proaktive dhe rritja e transparencës, duke e përshtatur shërbimin me standardet bashkëkohore të homologëve ndërkombëtarë,” nënvizoi Hoxha.

Ajo shtoi se risitë përfshijnë zgjerimin e fushës së mbikëqyrjes dhe forcimin e integritetit institucional.

Deputeti Bledar Çomo, në cilësinë e relatorit të çështjes, vlerësoi se ky projektligj vjen si zgjidhje për një sërë problematikash të hasura gjatë zbatimit të legjislacionit të vjetër.

“Kjo nismë është një hap i rëndësishëm në zbatimin e standardeve dhe rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi i ekzekutimit të vendimeve,” tha Çomo, duke ftuar kolegët të votojnë pro.

Pas diskutimeve dhe sugjerimeve të bëra gjatë shqyrtimit nen për nen, komisioni e miratoi projektligjin në tërësi, duke i hapur rrugë miratimit final në seancë plenare.