Kolonia e piktorëve në Lezhë, 23 artistë hedhin në telajo përmes penelit, bukuritë e këtij rajoni

Bukuritë natyrore të rajonit të Lezhës u hodhën në telajo përmes penelit të 23 piktorëve më të mirë nga trevat shqiptare. Ata qëndruan në këtë zonë për 5 ditë me radhë duke realizuar rreth 60 punime të ndryshme pjesa më e madhe e tyre peizazhe. “Art Koloni Lissus”, vjen për të tretin vit radhazi në Lezhë, pasi ky rajon mbetet një frymëzim për artistët e artit figurativ dhe piktura është mënyra më e mirë për të prezantuar këtë zonë me resurse të jashtëzakonshme.
“Për mua si pogradecar është shumë frymëzuese horizonti ku perëndon dielli mbi det”, u shpreh piktori Edmond Rrami.
“Mezi prita që ta ndjej frymëzimin direkt në peizazh”, u shpreh piktori Niko Bibaj.
Punimet e 23 piktorëve u prezantuan përmes një ekspozite të hapur në Shëngjin, ndërsa ky organizim i cili është kthyer në traditë të përvitshme vjen me iniciativen e piktorit lezhjan Pashk Përvathi, me qëllim promovimin e këtij rajoni me potencial të jashtëzakonshëm turistik.