Kodi i ri Penal, Berisha: Ndryshimet e shpeshta e zhysin sistemin juridik në mjedis pasigurie, liron të dënuarit e përjetshëm
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar mbi Kodin e ri Penal që pritet të shqyrtohet në Kuvend sesionin e ardhshëm parlamentar, duke deklaruar se ndryshimet e shpeshta që i bëhen këtij kodi, e zhysin sistemin juridik në një mjedis pasigurie.
Sipas kreut të Partisë Demokratike Kodi i ri Penal synon lirimin e të dënuarve të përjetshëm, ndërkohë që burgos qytetarët për një parkim të gabuar.
Ai theksoi se nuk mund të paraqitet në Kuvend një Kodi i ri pa asnjë debat paraprak të gjerë.
“Narkoshteti paraqiti dy ditë më parë narkokodin penal të Shqipërisë, në të cilin goditen pa mëshirë qytetarët, trajtohen me butësi maksimale zyrtarët dhe ata të cilët në drejtësinë e shekujve për aktet e tyre kanë marrë dënimin me vdekje, por duke e ndaluar një masë të tillë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, vendet anëtare të Këshillit të Europës, kanë hequr dënimin me vdekje nga kodet penale dhe kanë ruajtur dënime të tjera.
Ata tani kanë të mundur plotësisht të dalin dhe të bëjnë punë vullnetare sepse janë eksponentë kryesorë të mafies qeveritare.
Pa asnjë debat paraprak të gjerë, paraqesin këtu arkitekturën e plotë të kodit penal të diktaturës komuniste në raport me lirinë e fjalën dhe dënimin, trajtimin e qytetarëve.
Sot me këtë kod, qytetari shqiptar dënohet me burg për një parkim të gabuar”, deklaroi Berisha.
Pak ditë më parë u prezantua drafti i Kodit të ri Penal, i hartuar nga një grup ekspertësh dhe i udhëhequr nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.
Një nga risitë kryesore të këtij drafti është ndarja e qartë e veprave penale në krime dhe kundërvajtje penale, duke përcaktuar kritere të detajuara për dallimin mes tyre, përfshirë kufijtë maksimalë të dënimeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit kriminal.
Drafti sjell edhe konceptin e “krimit shumë të rëndë”, i cili do të përcaktohet si çdo krim me dënim mbi dhjetë vjet burgim ose i kryer nga organizata kriminale, pavarësisht masës së dënimit. Kjo ndarje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e vuajtjes së dënimit dhe caktimin e masave plotësuese.
