KLP zgjedh unanimisht Joni Ketën në krye të BKH-së
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar me 11 vota pro emërimin e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Vendimi u mor në mbledhjen e kësaj të marte (9 dhjetor) ku anëtarët e KLP-së miratuan unanimisht projektvendimin “Për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Mandati i Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë 5-vjeçar, me detyrën kryesore hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.
Aktualisht Joni Keta mban postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues, pas verifikimeve të bëra nga një komision i vecantë i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, proces që zgjati disa muaj.
Komisioni i Përzgjedhjes në mbledhjen e 26 nëntorit vendosi rekomandimin e Ketës në KLP, në një proces të monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë, përfaqësues të ICITAP (Programi i Ndihmës për Trajnime Hetimore Penale Ndërkombëtare) dhe të Bashkimit Europian, duke garantuar transparencën e procesit.
Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, edhe prokurorë.
