Klodian Braho kreu i ri i SPAK, Ambasada e SHBA-së: Të vazhdojmë partneritetin tonë. Dumani tregoi një integritet të pashembullt
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka uruar drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Braho, dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me drejtuesin e sapozgjedhur.
“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK,” nënvizon ambasada.
Ambasada vlerësoi lart kontributin e Altin Dumanit gjatë mandatit të tij 3-vjeçar, duke theksuar se puna e tij ka forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si Kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës,” thuhet në reagim.
Klodian Braho u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK mes 4 kandidatëve duke marrë 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
