Kevin Dodaj kthehet te Vllaznia, huazohet nga CSKA deri në fund të sezonit

Kevin Dodaj kthehet te Vllaznia,

Vllaznia bën një afrim të rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit. Klubi shkodran ka marrë në formë huazimi sulmuesin Kevin Dodaj nga CSKA-ja e Sofjes, ku lojtari u shit pikërisht nga kuqeblutë.

Dy klubet kanë rënë dakord për huazimin e Dodajt deri në fund të sezonit. Lojtari që është pjesë e Kombëtares U-21 ka spikatur me fanellën e Vllaznisë sezonin e kaluar, kur ishte një titullar fiks i saj.

Paraqitja e mirë, golat dhe mosha e re bënë që Dodaj të kalonte në kampionatin bullgar, te një skuadër me emër si CSKA, por kjo aventurë nuk shkoi ashtu si duhet për të. Sulmuesi nuk ka pasur shumë hapësitë dhe për këtë arsye është rikthyer te Vllaznia, të paktën për disa muaj.

Trajneri Edi Martini tashmë ka një “armë” më shumë për pjesën e mbetur të kampionatit. Dodaj e njeh shumë mirë ambientin dhe nuk ka nevojë për kohë për t’u përshtatur.