Kërkuan ndryshime në Komisionin e Territoriales, PS tërhiqet: Nëse PD nuk vjen të hënën, ndryshojmë përbërjen e komisionit
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, u shpreh lidhur me situatën në Komisionin e Reformës Territoriale, duke i ofruar opozitës një tjetër mundësi për rikthim në proces.
Balla deklaroi se mbledhja e radhës e Komisionit të Reformës Territoriale mund të thirret ditën e hënë (2 shkurt) dhe se, nëse opozita merr pjesë, mazhoranca është e gatshme të tërhiqet nga ndryshimet e propozuara më herët. Në të kundërt, në rast se opozita vijon bojkotin, mazhoranca do të vijojë me mekanizmin zhbllokues në seancë plenare.
“Mbledhja e radhës e Komisionit mund të mbahet ditën e hënë. Nëse opozita e bojkoton sërish, atëherë në seancë do të vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet, doni apo nuk doni ju”, u shpreh Balla.
Duke komentuar qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me Këshillin e Mandateve, Balla theksoi se opozita ka të gjitha instrumentet rregullatore për të ankimuar vendimmarrjet, por sipas tij po zgjedh rrugën e bojkotit dhe të retorikës politike.
“Nëse Grupi Parlamentar i PD ka ankesa për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, duhet t’i ndjekë ato sipas Rregullores. Vendimi për të pritur Gjykatën Kushtetuese është i duhuri, pasi edhe Kuvendi është palë në këtë ngërç. PD po bën teatër dhe nuk ushtron të drejtën e ankimimit, por shfaqje të kota qesharake”, deklaroi ai.
Një javë më parë, mazhoranca propozoi disa ndryshime në mënyrën e funksionimit të komisionit të Territoriales, ku parashikohej heqja e barazisë në përfaqësimin politik dhe e drejta e vetos.
Mazhoranca argumentoi se me këtë vendim zhbllokohej veprimtaria e komisionit, e cila kishte mbetur pezull për shkak të bojkotit të opozitës.
