Kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Metën. Avokati: Asnjë bazë ligjore se përse u rrëzua, vijojmë betejën tonë
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurisë.
Në një dalje për mediet, Kujtim Cakrani avokati i Metës, deklaroi se rrëzimi i kërkesës së tyre nuk ka asnjë bazë ligjore, ndërsa akuzoi Gjykatën se ka mbetur e kapur peng.
Cakrani garantoi se do të vijojë betejën për lirimin e Metës nga paraburgimi, ndërsa theksoi se zvarritja e procesit nuk po bëhet prej ish-presidentit por prej gjykatës dhe prokurorisë.
“Kjo seancë nuk po avancon. Ka pasur zvarritje, shtyrje për shkaqe të tjera dhe të gjyqtares, prokurorëve dhe palëve ndërgjyqëse.
Ne kërkuam zëvendësim të masës së sigurimit. Shpresonim që sot gjykata të jepte drejtësi. Gjykata mbeti e kapur peng, mbeti gjyqtare notere e prokurorisë. Ne jemi sot në këtë pikë. Ne do vazhdojmë betejën tonë e do kërkojmë sërish zëvendësim. Nuk mund të mbahet në paraburgim një president apo kushdo për shkaqe që nuk varen nga ai. Zvarritje nuk bëhet prej tij, por të prokurorisë e gjykatës.
Menduam se gjykata do e niste vitin mbare duke i dhënë një të drejtë procedurale z.Meta.
Meta nuk ishte i pranishëm, ai nuk i beson zëvendësimet. Ai ka qëndrimin e tij politik. Ne jemi të pavarur nga mendimi tij politik”, deklaroi Cakrani
Ky i fundit shprehu bindjen në fitoren e betejës, ndërsa theksoi se Meta është i pafajshëm.
“Z.Meta s’mund të lejë garanci pasurore sepse nuk ka pasuri. Unë kam qenë disponibël t’i lija nga pronat e mia z.Meta. Ne do e nxjerrim padyshim sepse është i pafajshëm. Ne kemi bërë kallëzim penal të bazuar në 4 akuza ndaj drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, shpërdorim detyre, kryerje veprime arbitrare. Ne jemi në betejë dhe do e fitojmë”, theksoi ai.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024 dhe ka bërë gjithashtu ankim edhe në Gjykatën e Lartë, e cila do ta shqyrtojë kërkesën më 9 tetor të këtij viti. Dosja e tij përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
