Kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës, dyshimet bien mbi Serbinë, Kurti: Luftë aktive hibride

Kurti 7

Një alarm i rremë për bombë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dje, të shtunën, ka ngjallur reagime të forta dhe ka vënë në lëvizje institucionet e sigurisë. Dyshimet fillestare të Policisë së Kosovës, të konfirmuara edhe nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sugjerojnë se kërcënimi e ka origjinën në Serbi, duke dëshmuar, sipas Kurtit, “luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”.

Kryeministri Kurti përgëzoi institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional në këtë rast. Kërcënimi, i bërë përmes një telefonate, shkaktoi evakuimin e menjëhershëm të stafit dhe kontrolle të imtësishme nga forcat e sigurisë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve intensive dhe në bashkëpunim me institucionet e sigurisë, dyshimet janë se thirrja kërcënuese ka ardhur nga një numër telefoni me prefiks serb.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të ndriçimit dhe zbulimit të kërcënimit. Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia”, thuhet në njoftimin e tyre.

Detyrat e Prokurorisë dhe ndihma ndërkombëtare

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, shpalosi detaje shtesë për operacionin. Ai tha se kërcënimi me bombë u bë nga një person me zë mashkulli, i cili, sipas theksit në gjuhën angleze, dukej të ishte nga “vendet jomike të Kosovës”. Për këtë telefonatë janë angazhuar edhe ekipet e krimit kibernetik dhe hetimet do të vazhdojnë.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të marrë masa të mëtejshme, përfshirë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, për të lokalizuar mjetet dhe rrjetet e komunikimit të përdorura në këtë kërcënim.