Këngët e ahengut shkodran / Promovohet botimi i autorit Fahri Djepaxhija me 514 këngë shkodrane

kenget e ahengut

Ahengu shkodran, një nga 7 kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore të vendit tonë, ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm.

Një libër që përmbledh 514 këngë të tij duke përfshirë edhe variantet e tyre, është promovuar së fundmi në Bibliotekën “Marin Barleti”.

Puna e gjatë kërkimore e autorit Fahri Djepaxhija prej 40 vitesh është konkretizuar në përmbledhjen “Këngë të ahengut shkodran”.

Në këtë rrugëtim, pasionanti shkodran ka patur bashkëpunimin e ngushtë të nipit të tij, të ndarë nga jeta, Esmerald Djepaxhija, i cili ndihmoi në transkriptimin e këngëve të ahengut.

Libri i promovuar së fundmi përbën një pasuri për fondin e ahengut shkodran, pasi është i vetmi që sjell një numër kaq të lartë të këngëve të shkruara.

E veçanta qëndron në faktin se ato janë të shoqëruara me emrat e autorëve të tyre.

Biseda e të ftuarve të panelit, në mesin e të cilëve edhe kompozitori Zef Çoba u përqendrua në vlerën dhe rëndësinë që përcjell ky botim në dokumentimin e ahengut. Aktiviteti promovues u shoqërua edhe me interpretimin muzikor të disa prej këngëve më të veçanta të kësaj pasurie shpirtërore.