Karl Gega, gjeniu me rrënjë shqiptare, dokumentet dhe letrat faktojnë origjinën e tij

karl gega

Letrat e ruajtura nga anëtarët e familjes, por edhe tema me simbole më në përforcojnë edhe më shumë origjinën shqiptare të një prej figurave poliedrike siç është arkitekti dhe gjeniu austriak Karl Gega.

Studiues, historianë dhe ekspertë të inxhinierisë shqiptare dhe të huaj kanë mbajtur një konferencë shkencore që sjell në vëmendje rolin kyç të Karl Gegës në realizimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, një nga arritjet më të mëdha në inxhinierinë e kohës.

’’Falë pemës gjenealogjike realizuar nga një pasardhës, kushëri i Karl Gegës në Venecia, konfirmon datën e lindjes më 10 qershor të vitit 1802. Origjina e tij shqiptare është e lashtë, e ndjekur prej migrimeve nga Shqipëria drejt rajonit të Gjirit të Kotorrit, në Perast, më pas jeton në territoret e Republikës së Venedikut dhe shërbimin në marinën veneciane. Dhe pastaj ai vetë, Karl Gega, lindi në Venedik, por u formua dhe u afirmua në Austri, pjesë e një familjeje gjithmonë të lidhur me historinë e Republikës së Venedikut’’,tha Lucia Nadin, Musei Civici di Venezia.

Historiani Pëllumb Xhufi flet për gjenezën e familjes Gega me rrënjë shqiptare.

“Një tjetër pistë hulumtimi mendoj që na hap edhe profesioni i ushtruar nga i ati i Karl Gegës, Antoni, si oficer i marinës luftarake veneciane, çka duket se ka përcaktuar edhe transplantimin e kësaj familjeve në tokën veneciane. Sa i takon emrit Gegë e ndeshim ne, unë e ndesh për herë të parë në defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485“, tha Xhufi.

Konferenca që u zhvillua në Akademinë e Shkencave, do të pasohet me çeljen e ekspozitës historike në ambientet e Pallatit të Kongreseve, që sjell dokumente, skica inxhinierike dhe materiale arkivore të rralla, të cilat ndriçojnë punën dhe trashëgiminë teknike të Karl von Gega-s.