Kapen 420 kg duhan të kontrabanduar nga Mali i Zi / Procedohen penalisht një 15-vjeçar për mjet prerës dhe një 41-vjeçar për dhunë fizike

policia 9

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë një të ri 22-vjeç, banues në fshatin Rrapshë, për veprën penale “Kontrabanda  me mallra për të cilat paguhet akcizë”. Ai u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në fshatin Kosan duke transportuar 420 kg duhan të grirë, të dyshuar të kontrabanduar nga Mali i Zi. Sasia e duhanit dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.

Nga Sektori i Qarkullimit Rrugor u arrestua një 54-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur.

Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori për një adoleshent 15-vjeçar, pasi iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua.

Po ashtu, u referuan materialet për një 41-vjeçar nga Puka, i cili ka goditur me grushte një 50-vjeçar për motive të dobëta.

Të gjitha materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.