Juventusi e ndal vrapin në Cagliari, Spalletti pëson humbjen e dytë në krye të “Zonjës”

Cagliari, Spa

Ndërpritet momenti pozitiv i Juventusit të trajnerit Luciano Spalletti. Bardhezinjtë janë mundur 1-0 në “Unipol Domus” kundër Cagliari dhe shkojnë -10 nga Interi kryesues.

Arbitri Massa dha një penallti për Juventusin pas çerek ore lojë, por e anuloi pasi u thirr në VAR dhe dalloi një faull në sulm. Skuadra e Spalletti e dominoi lojën, por u ndëshkua nga një goditje standarde.

Mazitelli shënoi për Cagliari kur kishte kaluar pak më shumë se një orë lojë, duke i dhënë avantazhin skuadrës vendëse. Trajneri Spalletti ndërhyri menjëherë nga stoli, duke hedhur në fushë gjithë potencialin ofensiv. Në fillim u aktivizuan Zhegrova dhe Openda, ndërsa më pas Thuram, Conceicao dhe Adzic.

Juventusi iu afrua golit 6 minuta para fundit, kur një gjuajtje e Yldiz, pas një devijimi, u ndal nga shtylla. Asgjë nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare dhe bardhezinjtë ndërpresin kështu ecurinë e mirë të javëve të fundit. Torinezët mbeten në vend të 5-të, me 39 pikë. Vendi i 4-t mund të largohet, nëse Roma fiton nesër ndeshjen e saj ndaj Torinos.