Jo vetëm Sazani e Zvërneci! Ivanka Trump zgjeron hartën e interesit në Vlorë, gazetarja sjell detajet: Ndërroi makinë në çdo ndalesë
Vlora është kthyer në qendër të vëmendjes mediatike pas mbërritjes së Ivanka Trump, vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Kjo vizitë, e dyta brenda pak kohësh pas asaj të qershorit 2025, shënon një hap tjetër drejt realizimit të projekteve ambicioze të familjes Trump-Kushner në bregdetin shqiptar.
Në një lidhje direkte për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, gazetarja Afrovita Hysaj sjell detajet e lëvizjeve të Ivanka Trump. “Ka pasur disa ndalesa. E para ka qenë në një prej resorteve të zonës së Ujit të Ftohtë, aty ku ka qëndruar edhe herën e kaluar. Ka pasur një mbledhje me arkitektë nga disa prej zyrave më të njohura të arkitekturës për të diskutuar mbi planin zhvillimor që do të ketë projekti i Sazanit, por edhe projekti i ndërtimit të fshatrave turistikë në zonën e Zvërnecit”.
Vëmendje mori edhe vizita në zonat ende të paprekura të qytetit bregdetar. Gazetarja nënvizoi interesin e veçantë për plazhet e Hidrovorit dhe Dalanit, zona që njihen si “të virgjëra” dhe pa plane aktuale investimi. “Nuk dihet nëse kjo ishte thjesht kuriozitet apo një sinjal për zgjerimin e projekteve në të ardhmen”.
Pas një ndalese në Manastirin e Zvërnecit ku janë shkrepur edhe foto personale, mbrëmja u zhvendos në Orikum. Ashtu si në vizitën e parë, vajza e presidentit Trump zgjodhi të njëjtin restorant. “Darka, e cila ka zgjatur rreth dy orë, ka qenë private me kryeministrin Rama. Ai iu bashkua vetëm gjatë orëve të mbrëmjes së bashku me disa arkitektë,” shpjegon Hysaj. “Gjatë daljes nga restoranti janë ekspozuar edhe për mediat, duke folur për disa çaste në trotuar.”
E pyetur se çfarë përmbante menyja e darkës, Hysaj thotë: “Duke pasur parasysh kryeministrin Rama, mendoj që mund të kenë shijuar gatime tradicionale. Është një nga restorantet më të mirë në qytetin e Vlorës, i cili ka një larmishmëri gatimesh nga peshku tek ato tradicionale”.
Projekti i ishullit të Sazanit është një nga çështjet më me rëndësi. Edhe pse planet fillestare janë bërë publike, Hysaj zbulon se projekti po pëson ndryshime. “Projketi që është publik me ndërtimin e disa viletave, njësive të shërbimit, plazhe apo ambiente të përbashkëta rekreative, do të ketë disa ndryshime. Megjithatë hapësira në shfrytëzim për t’u investuar është e njëjta, 45 hektarë. Është një investim me peshë në termat ekonomikë, flasim për 1.4 miliardë euro. Pritet të ketë një numër të lartë të punësuarish”.
Ajo që ra në sy ishin masat e rrepta të sigurisë. Gazetarja Afrovita Hysaj tregoi një detaj interesant mbi protokollin e lëvizjes: “Gjatë qarkullimit nëpër qytet, Ivanka Trump ka ndërruar automjetet. Në çdo ndalesë ajo largohej me një automjet tjetër,” duke treguar kështu nivelin e lartë të mbrojtjes nga forcat speciale amerikane dhe ato shqiptare FAST.
