Jo angazhimit në punë të fëmijëve – Bashkia Shkodër aktivitet sensibilizues në Ditën Ndërkombëtare Kundër Shfrytëzimit të Fëmijëve për Punë

jo angazhimit f

Në kuadër të 12 Qershorit , Ditës Ndërkombëtare Kundër Shfrytëzimit të Fëmijëve për Punë, Bashkia Shkodër zhvilloi një aktivitet sensibilizues në qytet.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, u bëri thirrje qytetarëve që të rrisin ndërgjegjësimin dhe të kontribuojnë në luftën kundër këtij fenomeni shqetësues që prek të ardhmen e fëmijëve, sidomos në formën e lypjes në rrugë.

“Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, ka ngritur të gjitha strukturat e nevojshme për të luftuar këtë fenomen. Të gjithë ata që qëndrojnë pas shfrytëzimit të fëmijëve janë tashmë nën vëzhgim dhe ndaj tyre do të veprohet me forcën e ligjit”, tha  Qyteza.

Në fokus të aktivitetit ishte nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional, sensibilizimi i komunitetit dhe ndërgjegjësimi mbi pasojat që sjell shfrytëzimi i fëmijëve – një praktikë që u mohon atyre të drejtën për një fëmijëri të sigurt dhe të lumtur. Broshura informuese e shpërndarë gjatë aktivitetit përfshinte udhëzime të qarta për qytetarët mbi hapat që mund të ndërmerren për të mbrojtur fëmijët, duke filluar nga raportimi i rasteve të shfrytëzimit, mbështetja përmes institucioneve, mosdhënia e parave në rrugë, e deri te sensibilizimi dhe mbështetja për arsimin cilësor dhe përfshirës. “Një fëmijë që punon, humbet të drejtën për të qenë fëmijë” – është mesazhi që shoqëron këtë fushatë ndërgjegjësimi, për t’i kujtuar çdo anëtari të shoqërisë rolin e tij në mbrojtjen e më të vegjëlve.