Java e Imunizimit, Daja: Vaksinimi i rëndësishëm, shpëton jetë njerëzish

1vaksina-696x594

Nga 24-30 prill shënohet Java Botërore e Imunizimit, e cila zhvillohet çdo vit me qëllim promovimin e vaksinimit jetëshpëtues të qytetarëve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka publikuar në rrjetet sociale një video sensibilizuese, ku shefja e Programit të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, Rovena Daja thekson rëndësinë e vaksinimit, si i vetmi mjet për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen e shëndetit.

“Jemi në fillim të javës botërore të vaksinimit. Më shumë se çdo herë tjetër ftojmë prindërit të vaksinojnë fëmijët e tyre. Vaksinimi është element i rëndësishëm, vaksinat shpëtojnë jetë njerëzish”, tha Daja.

Daja u shpreh se “në këtë situatë kur normalisht kemi edhe raste fruthi në të gjithë Europën, por edhe në Shqipëri ftojmë prindërit të vaksinojnë fëmijët ndaj fruthit, rubeolës, parotit si dhe gjithë vaksinave të tjera të kalendarit të vaksinimit”.

Vaksinimi në kohë për fëmijët është shumë i rëndësishëm edhe mjekët pediatër në përditshmërinë e punës së tyre i ndërgjegjësojnë prindërit për vaksinimin në kohë të fëmijëve të tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit.

Në të gjithë botën nga 24-30 prill shënohet Java Botërore e Imunizimit.

Kjo javë synon të evidentojë nevojën e promovimit të vaksinave për të mbrojtur popullsinë e të gjitha moshave ndaj sëmundjeve të ndryshme.