Izraeli pranon bisedimet për armëpushim – Dërgon ekip negociatorësh në Katar

Benjamin Netanyahu tha

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se po dërgonte një ekip në Katar për bisedime mbi një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza, pasi Hamasi tha se ishte gati të fillonte negociatat menjëherë. Por Netanyahu, i cili do të takohet me Presidentin Donald Trump në Uashington të hënën, tha se propozimet e grupit islamik palestinez për ndryshime në një projekt marrëveshjeje armëpushimi të mbështetur nga SHBA-të ishin të papranueshme.

Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës gati 21 mujore në Gaza, Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se 42 persona u vranë në operacionet ushtarake izraelite të shtunën. Hamasi deklaroi të premten se ishte gati të angazhohej menjëherë dhe seriozisht në negociata dhe ka dërguar përgjigjet e tij ndaj propozimit për armëpushim.

“Na u përcollën ndryshimet që Hamasi po kërkon të bëjë në propozimin për armëpushim, por janë të papranueshme për Izraelin”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Netanyahut. Hamasi nga ana e tij nuk e ka bërë publike përgjigjen ndaj propozimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, me të cilin u njoh përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti.

Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve AFP, propozimi përfshin një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit Hamasi do të lirojë 10 pengje të gjallë dhe disa trupa të pajetë në këmbim të një numri palestinezësh të ndaluar nga Izraeli.

Megjithatë, grupi militant kërkon tërheqjen e Izraelit nga Gaza, garanci kundër rifillimit të luftimeve gjatë negociatave dhe kthimin e sistemit të shpërndarjes së ndihmave të udhëhequr nga OKB-ja. Nga 251 pengjet e rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit të tetorit 2023, 49 prej tyre mbahen ende në Gaza, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se janë të vdekur.