Ish-krerët e FED dhe Thesarit dënojnë hetimin penal ndaj Jerome Powell

b2d46540-efd2-11f0-9a79-cfc8898f9898.jpg

Një koalicion i rrallë dhe i fuqishëm i ish-arkitektëve të ekonomisë amerikane ka dalë hapur në mbrojtje të Kryetarit aktual të Rezervës Federale (FED), Jerome Powell. Tre ish-drejtues të bankës qendrore dhe katër ish-sekretarë të Thesarit kanë dënuar ashpër hetimin penal të nisur nga prokurorët federalë ndaj tij, duke e cilësuar atë si një përpjekje “të pashembullt” për të minuar pavarësinë e institucionit më të rëndësishëm financiar në botë.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën, 10 figura qendrore – përfshirë ikonat e ekonomisë si Janet Yellen, Ben Bernanke dhe Alan Greenspan – paralajmëruan se veprime të tilla rrezikojnë themelet e suksesit ekonomik amerikan.

Deklarata e nënshkruar nga zyrtarë të emëruar si nga presidentë demokratë ashtu edhe republikanë, ishte e ashpër në gjuhën e përdorur.

“Pavarësia e Rezervës Federale dhe perceptimi i publikut për këtë pavarësi janë thelbësore për performancën ekonomike,” shkruhet në deklaratë.

Sipas tyre, ky hetim “nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara, forca më e madhe e të cilave është sundimi i ligjit”. Ata bënë një krahasim alarmues:

“Kështu bëhet politika monetare në tregjet në zhvillim me institucione të dobëta, me pasoja shumë negative për inflacionin dhe funksionimin e ekonomive të tyre në përgjithësi.”

Reagimi i ish-zyrtarëve erdhi vetëm një ditë pasi Jerome Powell bëri një lëvizje të pazakontë, duke publikuar një videomesazh ku zbulonte se Departamenti i Drejtësisë (DoJ) i kishte dërguar fletëthirrje dhe e kishte kërcënuar me padi penale.

Zyrtarisht, hetimi lidhet me dëshminë e dhënë nga Powell në Senat për rinovimet e ndërtesave të Rezervës Federale. Megjithatë, Powell ishte i drejtpërdrejtë në akuzën e tij: ai beson se burimi i vërtetë i këtij presioni është zemërimi i Presidentit Donald Trump për normat e larta të interesit. “Hetimi duhet parë në kontekstin më të gjerë të kërcënimeve të administratës dhe presionit të vazhdueshëm,” tha Powell.

Presidenti Trump, i cili prej muajsh sulmon Powell-in në rrjetet sociale duke kërkuar ulje të normave të interesit për të lehtësuar kreditimin dhe koston e borxhit qeveritar, ka mohuar përfshirjen. I pyetur për hetimin, ai u shpreh se “nuk dinte asgjë” rreth tij.

Analistët paralajmërojnë se një përplasje e hapur ligjore apo shkarkimi i mundshëm i kreut të FED do të trondiste rëndë tregjet financiare globale.