Ish-gjigandët e socializmit 20 vite në likuidim, qeveria pritet të shkrijë Duhan-Cigaren dhe Albkromin, fund edhe “ndërmarrjeve fantazmë”
Shteti shqiptar po përgatitet të mbyllë përfundimisht një nga kapitujt më të gjatë dhe të kushtueshëm të tranzicionit ekonomik: sagën e ish-gjigandëve industrialë që kanë mbetur “të gjallë” vetëm në letra.
Përmes një projektligji të ri të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, të titulluar “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, qeveria synon të çregjistrojë ligjërisht dhjetëra kompani që zvarriten në procese likuidimi prej dy dekadash.
Në vend të tyre, do të krijohet një entitet i vetëm i fuqishëm, i njohur si “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, i cili do të thithë të gjitha pronat dhe detyrimet e mbetura.
“Vrimat e zeza” në bilancet e shtetit
Në relacionin e projektligjit theksohet se aktualisht ekzistojnë shoqëri me kapital mbi 51% shtetëror, të cilat prej 15-20 vitesh figurojnë në proces likuidimi, por nuk mbyllen kurrë për shkak të ngërçeve ligjore dhe borxheve të vjetra.
Këto “ndërmarrje fantazmë” vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit. Edhe pse pa asnjë aktivitet prodhues, ato kanë mbajtur struktura administrative dhe likuidatorë që paguhen prej vitesh, borde mbikëqyrëse, kosto mirëmbajtjeje për asete të amortizuara.
Lista e kompanive që do të shkrihen përfshin emra historikë të industrisë socialiste si: “Albbakër”, “Albkrom”, “Albminiera”, “Petrol Alba”, “Duhan–Cigare”, “Albkontroll” (dega Durrës) dhe “Superfosfat Kurbin”.
Mekanizmi “Fast-Track” dhe operatori i ri
Zgjidhja ligjore e propozuar është radikale. Projektligji parashikon një mekanizëm “Fast-Track” (procedurë e përshpejtuar) që funksionon në tre hapa: Ndërprerja e menjëhershme e likuidatorëve aktualë që kanë zvarritur procesin; të gjitha kompetencat, asetet dhe detyrimet kalojnë te shoqëria e re “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., me aksionar 100% shtetin. Ky operator do të funksionojë si një “magazinë qendrore”. Kompanitë si “Albkrom” apo “Duhan-Cigare” çregjistrohen përfundimisht nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), duke pushuar së ekzistuari juridikisht.
Amnistia e heshtur, fshirja e borxheve të vjetra
Një aspekt kyç i reformës është pastrimi i bilanceve. Relacioni pranon se këto kompani kanë detyrime të stërvjetra, shpesh fiktive ose ndaj subjekteve që nuk ekzistojnë më.
Ligji i ri do të lejojë fshirjen e borxheve të parashkruara dhe atyre të pajustifikuara me dokumente. Qëllimi është që Operatori i ri të nisë punën me një bilanc të pastër, pa barrën e detyrimeve që datojnë nga fillimi i viteve 2000.
E ardhmja e pronave, nga gërmadha në mundësi zhvillimi
Me centralizimin e pronave në një dorë të vetme, qeveria synon t’i fusë këto asete sërish në qarkullim ekonomik. Asetet e këtyre ndërmarrjeve – të cilat përfshijnë toka, ndërtesa industriale, depo dhe ish-fabrika – deri më tani kanë qenë të pashfrytëzueshme ose objekt zaptimi.
Detyrat e “super-operatorit” do të jenë sistemimi i titujve të pronësisë, zgjidhja e konflikteve gjyqësore dhe regjistrimi i saktë i pronave; ofrimi i aseteve për investitorë privatë për shitje ose qira; kthimi i ish-zonave industriale të degraduara në parqe teknologjike ose zona të reja rezidenciale.
Projektligji pritet të kalojë së shpejti për diskutim në komisionet parlamentare, duke shënuar kështu fundin zyrtar të epokës industriale të tranzicionit shqiptar.
