Irani rifillon në heshtje bisedimet bërthamore me SHBA-në

Irani po rifillon në heshtje bisedimet indirekte bërthamore me SHBA-në, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga përfaqësuesit e linjës së ashpër.
Telegraph raporton se, Këshilli suprem i sigurisë kombëtare i Teheranit i tha ministrisë së jashtme të rihapë bisedimet me administratën Trump, me qëllim ringjalljen e diplomacisë pas një lufte 12-ditore me Izraelin muajin e kaluar, gjatë së cilës SHBA-të bombarduan centralet kryesore bërthamore iraniane.
Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan pesë raunde bisedimesh që nga 12 prilli .
Raundi i gjashtë u anulua pasi Izraeli nisi sulme ndaj Iranit më 13 qershor.
Një zyrtar i lartë iranian që foli për The Telegraph nga Teherani tha: “Këshilli suprem i sigurisë kombëtare i ka thënë ministrisë së jashtme të rifillojë negociatat me Amerikën për të bindur Trumpin se Izraeli kishte gabuar që sulmoi Iranin.”
“Qëllimi tjetër është të ndalohet rivendosja e sanksioneve të OKB-së para se të jetë tepër vonë”, shtoi zyrtari, duke iu referuar një dispozite në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që do të shihte sanksionet të hynin automatikisht në fuqi më 18 tetor nëse Irani shkel angazhimet e tij bërthamore.
Kjo erdhi pasi dolën raportime se Steve Ëitkoff, i dërguari i Donald Trump , do të udhëtonte për në Oslo javën e ardhshme për të rinisur bisedimet bërthamore me Abbas Araghchi, ministrin e jashtëm iranian.
Z. Araghchi shkroi në një gazetë libaneze këtë javë: “Pranimi i kërkesës për të ndaluar luftën nga Republika Islamike e Iranit ka krijuar një mundësi tjetër për diplomaci gjithëpërfshirëse.”
Nuk dihet nëse Ajatollah Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, ishte në dijeni të bisedimeve të rinovuara.
Ai nuk është parë në publik që nga fillimi i armiqësive me Izraelin, të cilat përfunduan me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Donald Trump .
Khamenei mban autoritetin përfundimtar mbi çështjet politike, ushtarake dhe ideologjike të Iranit, duke përfshirë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare. Presidenti dhe parlamenti veprojnë nën ndikimin e tij.
Zhdukja ka nxitur spekulime rreth shëndetit të tij, vendndodhjes dhe stabilitetit të Republikës Islamike.
Zyrtari iranian që foli për gazetën Telegraph tha se bisedimet e reja pritet të zhvillohen në heshtje, pa publikim, për shkak të kundërshtimit të fortë nga përfaqësuesit e linjës së ashpër në Teheran.
Regjimi iranian e festoi fundin e luftës si një “fitore” , megjithatë ky unitet është shndërruar shpejt në mosmarrëveshje midis mbështetësve të vijës së ashpër dhe të moderuarve mbi të ardhmen e vendit.
Përkrahësit e linjës së ashpër besojnë se kanë një shans për ta bashkuar vendin dhe për të treguar dobësinë e Perëndimit, ndërsa të moderuarit thonë se regjimi duhet të jetë i hapur për dialog.
Pak ditë më parë, nën ndikimin e ashpër, parlamenti i Iranit u ka ndaluar inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të hyjnë në vende të ndjeshme bërthamore. Këto përfshinin Fordoë, të cilin zyrtarët iranianë konfirmuan se ishte dëmtuar “seriozisht dhe gjerësisht” gjatë sulmit amerikan.
Inspektori i fundit bërthamor i OKB-së u largua nga Teherani të premten në mëngjes.