Irani në “shtetrrethim”, Pahlavi nxjerr popullin në rrugë, regjimi ndërpret internetin dhe nis arrestimet
Mbrëmja e së enjtes e ka gjetur kryeqytetin e Iranit dhe qytetet kryesore të vendit nën një valë të re protestash masive, ndoshta më të rrezikshmet për regjimin aktual që pas Revolucionit të vitit 1979.
Shkëndija kësaj here ishte një thirrje direkte nga Princi i Kurorës në mërgim, Reza Pahlavi. Sapo ora shënoi 20:00, lagjet e Teheranit shpërthyen në brohoritje nga dritaret dhe çatitë, për t’u derdhur më pas në sheshe. Sloganet “Vdekje diktatorit!” dhe “Kjo është beteja e fundit! Pahlavi do të kthehet!” kanë jehonë në të gjithë vendin.
Terri informativ dhe bilanci i luftës
Reagimi i regjimit ishte i menjëhershëm: izolimi digjital. Grupi i monitorimit NetBlocks dhe firma CloudFlare konfirmuan se qasja në internet dhe linjat telefonike u ndërprenë menjëherë pas nisjes së tubimeve. Nën këtë terr informativ, dhuna ka qenë brutale. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut raporton një bilanc tragjik të paktën 41 të vrarë, mbi 2,270 të arrestuar.
Përplasjet kanë qenë të përgjakshme nga të dyja krahët. Raportohet se në qytetin Lordegan dhe në Chenaran janë sulmuar stacione policie, duke lënë të vrarë disa pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe Gardës Revolucionare.
Faktori “Pahlavi” dhe ekonomia
Kjo protestë shënon një kthesë historike: testin e parë real të ndikimit të Reza Pahlavit. Thirrjet pro-Shahut, dikur të dënueshme me vdekje, tani janë bërë himni i një popullsie të dëshpëruar nga kolapsi ekonomik.
Pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor, monedha iraniane (Rial) ka prekur fundin, duke u këmbyer me 1.4 milionë për 1 dollar. Mbyllja e tregjeve dhe pazareve të enjten ishte një sinjal i qartë se pakënaqësia ekonomike është shkrirë me atë politike.
Paralajmërimi i Trump dhe Uashingtonit
Nga Uashingtoni, vëmendja është maksimale. Princi Pahlavi, në deklaratën e tij, paralajmëroi Gardën Revolucionare se “Presidenti Donald Trump po ju vëzhgon nga afër”.
Vetë Presidenti Trump ka qenë i qartë, duke paralajmëruar Teheranin se nëse vret protestuesit paqësorë, SHBA “do t’u vijë në ndihmë”. Departamenti i Shtetit ka publikuar pamje ku protestuesit emërtojnë rrugë me emrin e Trump, duke sfiduar hapur propagandën shtetërore.
Fundi i një epoke?
Ndërsa rrugët digjen, Ali Rahmani, djali i nobelistes së burgosur Narges Mohammadi, dha mesazhin që përmbledh frymën e revoltës: “Që nga 28 dhjetori 2025, populli ka dalë me të njëjtat kërkesa: Fundi i Republikës Islamike, fundi i këtij regjimi patriarkal dhe fundi i mullahëve.”
